Pas institucioneve financiare jobanka të mbledhjes së kredive të këqija, si Micro Credit Albania dhe Aleat, Banka e Shqipërisë ka vendosur masa mbikëqyrëse drastike edhe në segmentin e shoqërive të Kursim Kreditit.
Këtë muaj, Banka e Shqipërisë ka urdhëruar pezullimin e aktivitetit të SHKK-ve “Perlat” dhe “Rrushkull One”.
Mbështetur në listën shumë të gjatë të shkeljeve të konstatuara, Banka e Shqipërisë ka vendosur “pezullimin e ushtrimit të veprimtarive financiare për të cilat është licencuar për një periudhë 6-mujore (31 janar 2025). Gjatë periudhës së pezullimit, SHKK “Rrushkull One” nuk mund të ushtrojë aktivitetin e kredidhënies si dhe nuk lejohet mbledhja e depozitave në çdo formë, përshirë edhe depozitimet në llogari rrjedhëse”.
Gjatë periudhës së pezullimit, lejohet vetëm tërheqja e depozitave dhe shlyerja e kësteve të kredisë nga anëtarë të SHKK-së, si dhe transferimi i depozitave dhe kredive për qëllime të bashkimit me përthithje me SHKK “Perlat”.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka urdhëruar edhe kufizimin e rritjes së mjeteve financiare, duke përfshirë zërat jashtë bilancit me rrezik gjatë periudhës së pezullimit të ushtrimit të veprimtarive financiare për një periudhë 6-mujore (deri në 31 janar 2025) dhe ndalimin e rritjes së ekspozimit ndaj një anëtari ose pale të tretë për një periudhë 6-mujore dhe ndalimin e kryerjes së çdo lloj investimi për të njëjtën periudhë.
Ndërkohë, problematika e SHKK-së tjetër, “Perlat”, e ka origjinën që në vitin 2018, kur pas komunikimeve me Bankën e Shqipërisë subjektit iu kërkua likuidimi vullnetar i shoqërisë, Në mars 2018, SHKK “Perlat” njoftoi se do të mbështeste krijimin e një shoqërie të re, e cila do të përthithte edhe SHKK “Perlat”.
/a.r