Nga Kreshnik Spahiu
Muajin e kaluar kalova një natë në Jug…….
Janaqi kishte kohë që më ftonte në hotelin e tij me 5 yje që kishte ndërtuar në tokën e marrë me ligjin 7501.
E njoh nga fëmijëria sepse gjyshi i tij emigrant grek kishte ardhur dhe punonte në tokat e gjyshit tim dhe ishin bërë si njerëz të familjes sepse ishin njerëz të ndershëm dhe punëtorë.
Në vitin 1994 gjyshi im nuk morri asnjë pronë se ajo i’u nda 15 hyzmeqarve me parimin:
“Toka i takon, atij që e punon ose zapton”.
Pa u zgjatur në këtë histori, tre vëllezerit Janaqi, Raqi dhe Taqi kishin ndërtuar një hotel buzë detit dhe i kishin vendosur 5 yje. Të tre nuk kishin studiuar ndonjë universitet por ishin të “shkathët” dhe kishin bërë goxha lekë me kultivimin e hashashit.
Hoteli të dielën e kaluar ishte pjesërisht i mbushur me gjermanë dhe hollandez.
Në recepsion dëgjohej zëri i lartë i recepsionistit që i shante disa klientë gjerman gjysëm shqip dhe gjysëm greqisht. Mu desh të afrohesha dhe të përktheja gjermanisht por në fakt nuk i thash asnjë nga sharjet.
Tre turistë gjermanë ankoheshin se nuk kishin ujë të ngrohtë dhe nuk ju punonte kondicioneri.
Mezi e binda recepsionistin t’iu ndërronte dhomat dhe vetë vazhdova në tarracë të pija një kafe se isha i lodhur nga rruga. Pamja ishte magjepse dhe po e shijoja por kafen nuk e mbarova dot. Miza kali apo miza të zeza haleje rrethonin çdo kilent dhe të krijonin një neveri.
Nxitova të ndrrohesha dhe të dilja në det. Shezllonët ishin përrallore dhe vetja mu duk si sulltan Murati në shekullin XII. Vura syzet e diellit Gucci dhe po më dukej vetja si çunat e Tik-Tokut por luksi im nuk zgjati as 20 minuta.
Një erë e tmerrshme WC-je na solli zorrët në fyt.
Ishte ora kur derdheshin fekalet e zeza në det. Gjermanët dhe hollandezët dolën me vrap nga deti. Me peshqir në hundë, avash-avash hyn në hotel ku të gjitha dritaret u mbyllën.
Mendova se ja vlente që dy orëshin e derdhjes ujrave të zeza ta shfrytzoja duke pirë një gotë verë brenda në hotel.
Gllënka e parë e verës franceze Sauvignon blanc më relaksoi por gllënka e dytë me ngeli në fyt.
Janaqi shante me zë të lartë një çift gjerman:
“O shkërdhata, ku keni provuar peshk ju në jetë? Ju hani vetëm patate”
Pasi ju afrova i pyeta ne gjermanisht që çfarë ankese kishin.
Më thanë që ishin helmuar dy ditë më parë nga peshku i hotelit dhe sot i kishin kërkuar mos servirte të njëjtin.
Me sa duket peshku i prishej shpesh Janaqit sepse dritat iknin dy herë në ditë dhe frigoriferi i ngrirjeve ishte i prishur.
E ula Janaqin dhe i fillova ti flas:
I dashur miku im, hotelin e ke të mirë por klientët i ke më elitarë se hoteli yt.
Kam një ofertë për ty i dashur Janaq – i thash.
Eja 6 muaj në Gjermani në një kurs për turizëm dhe gastronomi.
Janaqi më pa i habitur dhe u ndje i fyer.
Po ça thua o Kreshnik: Unë i kam ndërtuar me duart e mija çdo gjë këtu. Vetë kam bërë arkitektin, inxhinierin, financierin, kuzhinierin, kamarierin dhe të më mësojnë mua këta trapat e gjermanisë si gatuhet peshku.
E dëgjova dhe ju ktheva: Janaq lekët dhe puna nuk të bëjnë të ditur. Këta gjermanët që i ke klient kanë shëtitur gjithë planetin dhe në fund jetës tyre kanë ardhur në këtë cep të botës që ke ti hotelin. Ata kanë provuar 200 lloje kuzhinash internacionale në jetë dhe qindra hotele luksoze. Ata me statistika janë populli që udhëtojnë më shumë jashtë dhe provojnë shumë çdo kuzhinë të huaj.
Ata janë kombi që konsumojnë më shumë ushqime bio se çdo shtet tjetër.
Ata kanë një sistem vlersimesh hotelesh dhe turizmi që i lexon çdo kush dhe nëse disa prej tye do i vën “kryqin” negativ hotelit tënd, pas disa vitesh nuk do shkel asnjë këmbë gjermani.
“Le të ikin plehrat” me – tha Janaqi.
“Dakort Janaq, – iu përgjigja: Ju larguat kosovarët, larguat shqiptarët e Maqedonisë, larguat emigrantët sepse ju donit elitë dhe jo turist të varfër, por tani po largoni edhe gjermanët, spanjollët apo hollandezët. Jam i sigurt që vitin tjetër Hotelin me 5 yje do e kesh në shitje ose do gatuash për familjen tënde se ty s’të shkel më njeri këtu.”
Skisha çi thoja më shumë Janaqit që s’kish shkelur kurrë në Tiranë, por tallej me turistët gjermanë.
Para se të filja natën e parë dhe të fundit mbylla mirë dritaret sepse djali i Janaqit po digjte kazanin me plehra 100 metra nga hoteli dhe i gjithë tymi hynte brenda në dhomat e veshura me pllaka mermeri dhe bërdura floriri.
Në mëngjes herët nuk prita të linde dielli por dola në recepsion dhe pagova 230 euro natën.
Hipa në makinë dhe u nisa me shpejtësi, por befas u kujtova: 230 euro ishte fiks çmimi që gjyshi Janaqit pagoi vite më parë për të legalizuar tokën e gjyshit tim…….
Çdo fillim e ka një nxitim Kreshnik..
Pra ne nuk po shpikin rrotën. Por po kopjojmë botën. Pra atë që gjermanët e kanë kaluar vitet e para pas lufte po e kopjojë ne.
Tregu do ta bëjë Janaqin të kopjojë Gjermanin. Pra me kohë do korrigjohet vit pas viti dhe Janaqët dhe Dhimitraqët , por dhe Kreshnikaqët do flasin më ndryshe. Të përshëndes.