Hapet një projekt dy-vjeçar për forcimin e organeve të barazisë dhe të të drejtave të njeriut në Shqipëri. Mbështetja për këtë projekt vjen nga Bashkimi Evropian dhe nga Këshilli i Evropës dhe ka të bëjë me “Rritjen e efektivitetit të Sistemit të Mbrojtje së të Drejtave të Njeriut dhe Anti-Diskriminimit në Shqipëri”. Zj. Romana Vlahutin, Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Z. Christos Giakoumopoulos, Drejtor i Drejtorisë të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës, Z. Igli Totozani, Avokati i Popullit, Zj. Bardhylka Kospiri, Zv/Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Zj. Irma Baraku, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi do të diskutojnë prioritetet e institucioneve të tyre respektive për të përmirësuar më tej praktikat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të anti-diskriminimit.
Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës kanë bashkëpunuar për një kohë të gjatë në dhënien e asistencës për Shqipërinë nëpërmjet projekteve. Ky projekt që filloi në Dhjetor 2015, për 24 muaj, forcon efektivitetin e anti-diskriminimit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, duke kontribuar për kuadrin ligjor dhe atë institucional, si edhe duke rritur ndërgjegjësimin e publikut në përgjithësi dhe të grupeve të synuara specifike mbi aspektet kyçe.
Projekti do të përdorë një shumicë metodash të krijura dhe të provuara nga Këshilli i Evropës për zhvillimin e kapaciteteve dhe rritjen e ndërgjegjësimit në të gjitha shtetet anëtare. Për sa i përket aktiviteteve të trajnimit, projekti do të mbështetet gjerësisht në Programin Evropian për Edukimin mbi të Drejtat e Njeriut për Profesionistët Ligjorë (Programi HELP). Programi HELP mbështet shtetet anëtare të Këshillit të Evropës në implementimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në nivel kombëtar, në përputhje me Rekomandimin e Këshillit të Minsitrave (2004)4, me Deklaratën e Interlaken të vitit 2010 dhe Deklaratën e Brajton të 2012.
Garantimi i cilësisë dhe një sistem efektiv i mbrojtjes nga diskriminimi përbën një nga prioritetet që Bashkimi Evropian ka kërkuar nga qeveria shqiptare gjatë viteve të fundit, si një kusht për pranimin në BE. Pas dhënies së statusit kandidat për Shqipërinë në 2014, Bashkimi Evropian theksoi se Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet e saj për të siguruar një zbatim përfshirës, të gjithanshëm dhe të qendrueshëm të prioriteve kyçe të vendosura për Shqipërinë, duke përfshirë politiak për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të anti-diskriminimit.