Muaji gusht nisi me lajmin e mirë që Këshilli i Ministrave miratoi rritjen e pagave për të gjithë punonjësit e pushtetit vendor, paga që do të unifikohen nga veriu në jug të vendit në të 61 bashkitë.
Rritja e pagave do të shkojë nga 40% deri në dyfishim për profesione të caktuara.
“E gjithë kjo reformë do të nisë nga fillimi i muajit shtator, pra 3 muajt e fundit të vitit 2024 do të jenë me nivelin e ri të pagave. Dhe sigurisht që do të vijojë në vitin 2025 e më tej. Ne gjykuam së bashku me bashkitë që kjo nuk ihste një ndarje e drejtë dhe që të reflektonte mënyrën se si është organizuar sot tregu I punës, pasi një arkitekt duhet të bëjë punën e arkitektit njësoj dhe duhet të paguhet njësoj, pasi ka bërë të njëjtën shkollë, ka të njëjtin kontribut si në Tiranë si në Këlcyrë. Një inxhinier duhet të jetë njësoj si në Fushë-Arrëz si në Durrës”, tha Arbjan Mazniku, Ministër për Pushtetin Vendor.
Ministri për Pushtetin Vendor thotë se skema e re mbështetet në 2 kolona.
“Kolona e parë është ristrukturimi i stafeve të bashkive në mënyrën më eficente, që të ketë më pak staf aty ku ka më pak volum pune dhe më shumë staf aty ku ka më shumë volum pune. Por nga ana tjetër pagat do të jenë horizontale, me nivele ngjashme, kjo do të thotë që disa bashki nuk mund të kenë 4 nivele specialistësh, mund të kenë 2 nivele specialistësh, por ato nivele specialistësh paguhen njëjtë në të gjitha bashkitë”, tha ministri.
Sa do të jetë paga, është pyetja që shtrojnë së pari kandidatët. Deri tani në bashki niveli i specialistit fillonte nga 30 mijë lekë dhe në bashki të vogla maksimumi ishte 37 mijë lekë.
“Tani niveli minimal I pagës për këtë kategori do të jetë 42 mijë dhe niveli maksimal do të jetë 70 mijë. Ndërsa Përgjegjës Sektori paga do të variojë nga 65 mijë deri në 98 mijë lekë”, theksoi ministri.
/a.r