Nga Dritan Hila
Ka nisur sezoni i vajtimeve për reformën zgjedhore dhe sesi kjo fosilizon kastën e vjetër në pushtet dhe iu ndërpret të ardhmen partive të reja. Është një vaj që të vjen për të qarë e për të qeshur kur mendon se dikush e kërkon pushtetin t’ua japë Damiani dhe Ogerti, ndërkohë që Ramës dhe Berishës nuk jua ka falur njeri pushtetin ndaj nuk kanë pse ta falin.
Për gjithë këta që qajnë, më vjen në kujtesë që Berisha ia mori nga dhëmbët pushtetin Ramiz Alisë. Përrallat për caktim nga lart të Berishës si kryetar i PD janë për një natë dimri kur ke nge të dëgjosh të gjitha llojet e përrallave, edhe të disave që donin t’ia merrnin por mbetën tek gardhi i PD-së.
Sikurse Edi Rama e mori PS-në me 100 akrobaci të mundshme, diku me aleanca, diku me luftë, dhe pastaj e mori pushtetin herë me përballje në bulevarde e herë me bisedime mbi e nën tavolinë. Tani, për këta që e duan pushtetin qofte, ka një shprehje që qofte tek daja nuk ka.
A iu merret pushteti Ramës dhe Berishës? I merret që ç’ke me të. Puna është që kjo do pak këllqe hekuri. P.sh të përmendesh oligarkët me emër; të përmendësh Belerin (meqë jemi në prag votimesh në Himarë por askush nuk e përmend) dhe aleancat e partive shqiptare me Athinën; të krijosh ekipe; të dalësh në terren, qytet më qytet dhe fshat më fshat e jo të rrish studio më studio duke ligjëruar si kaposhi majë plehut për çështje që as ia ke haberin, as të ka thënë kush puna e mbarë dhe as ke ekspertizën mbështetëse. E shumë të tjera të cilat nuk ka vend e kohë të përmenden.
A ka gjë më të lehtë se të shmangësh nga loja Berishën, një aktor politik i anatemuar nga perëndimi dhe i mbyllur në burg? Por në vend se të zinin fushën bosh, morën koshat e prisnin t’iu binte pushteti në to. Kur Berisha, një 80 vjeçar, dilte qytet më qytet dhe bënte fushatë, revolucionarët e përsheshit ishin studio më studio dhe prisnin që Berisha të bënte luftën për ta.
Akoma më gaztorë bëhen kur kërkojnë që Rama të bëjë reformë sipas oreksit të tyre, d.m.th që të zvogëlojë votat e partisë së tij se ashtu duan disa që presin që t’ju lërë kalin këtyre që nuk kanë provuar as shalën.
Natyrisht që kjo reformë nuk lë shumë mundësi për qarkullim elitash, por duke parë që elita nuk ka fare, më mirë kështu. Më mirë Berisha e Rama sesa gjithfarë personazhesh qesharakë ku dikush pretendon për diversitet në unitet e ca të tjerë revolucione në gotë e të tjerë ta marrin pushtetin me gjykata. Të gjithë këta nuk vlejnë as për administratorë pallati, lëre pastaj për drejtues shteti.
Dikur, ca komunistë si puna e Berishës thoshin që “Pushteti del nga gryka e pushkës dhe mbrohet me pushkë”. Sot del nga vota dhe mbrohet me votë. Kush nuk merr vota, nuk ka zë në kapitull.
Natyrisht që Shqipëria është në një pikë stanjacioni moral dhe politik. Por ndoshta më mirë kështu në këtë krizë e cila me siguri do lindë diçka të re, sesa aktorë fallcë.