Sahit Prizreni të dielën ka fituar normën olimpike për “Rio 2016”. Është ky një sukses i madh për mundësin shqiptar që në ngjarjen më të madhe sportive do të paraqitet për herë të tretë.
Ai ka garuar për Shqipërinë në lojërat olimpike “Athina 2004”, ku përfundoi i 17-ti. Katër vjet më vonë në Pekin u rendit i 16-ti,shkruan Koha Ditore.
Madje në Lojërat Olimpike të vitit 2008, barti flamurin e Shqipërisë në ceremoninë hapëse. Tani Prizreni 34-vjeçar do të garojë për herë të tretë në Lojërat Olimpike, në Rio de Janeiro të Brazilit, në muajin gusht. Por në Rio nuk do ta përfaqësojë Shqipërinë. Do të garojë për Australinë.
Prizreni është mundësi i dytë shqiptar që fitoi normë për Lojërat Olimpike të këtij viti. Më herët për Bullgarinë, normën e ka siguruar Elis Guri. Ndërkohë, Shqipëria ende nuk ka normë në mundje dhe e ka vetëm një normë në të gjitha sportet olimpike.
Aktualisht e kualifikuar për “Rio 2016” është vetëm atletja Luiza Gega, që ka arritur normën në disiplinën 1500 metra vrapim.Ka pak gjasa që Gega të përfshihet në garë për medalje, ndërkohë që Guri e Prizreni mund të jenë pretendentë.
“Jam i lumtur që do të jem në Lojërat Olimpike. Shpresoj që pjesëmarrja e tretë do të jetë me fat për mua”, ka theksuar Prizreni, duke konfirmuar se synon medalje. “Dua të bëj më të mirën për Australinë dhe trajnerin tim.
Kushtet e mia nuk janë shumë të mira aktualisht, por shpresoj të bëj disa stërvitje dhe të kem luftëra të tjera në Evropë këtë verë, që të bëhem gati për Rio”, ka shtuar Prizreni. Ai për Shqipërinë ka fituar medalje të bronztë botërore.