Arben G., 33-vjeçari që u plagos dy ditë më parë nga babai i vajzës me të cilën bashkëjetonte, ka dëshmuar para hetuesve për konfliktet mes dy familjeve. “Vajzën e Besimit e dua, por ai ka qenë kundër lidhjes sonë”, ka pohuar i plagosuri nga spitali ku është shtruar, raporton Gazeta Shqiptare. Ngjarja e rëndë u shënua pasditen e së shtunës, në banesën e marrë me qira nga 33-vjeçari dhe vajza e autorit të krimit. Çifti bashkëjetonte prej disa kohësh në zonën e Linzës, në afërsi të “Thesarit”. Burime pranë policisë së Tiranës bënë me dije se kjo ka qenë edhe arsyeja pse ndodhi ngjarja, pasi vajza ishte larguar nga shtëpia pa dëshirën dhe pëlqimin e familjes së saj. Pas ngjarjes, efektivët vunë në pranga shtetasin Besim Lata (autori), si dhe kanë shpallur në kërkim të birin me iniciale B.L.
Dëshmia e Arben G.
I tensionuar për atë se çfarë kishte ndodhur në banesën e tij, 33-vjeçari ka shpjeguar për policinë se arsyeja e vetme e ngjarjes ishte vajza me të cilën ai kishte nisur bashkëjetesën. Sipas tij, prindërit e vajzës nuk kanë qenë asnjëherë dakord për lidhjen e tyre, edhe pse A.G. kishte tentuar disa herë të bisedonte me ta. “Me vajzën kam lidhje serioze, por ata asnjëherë nuk e kanë kuptuar këtë gjë. Asnjëherë nuk kanë pranuar që të bisedojnë për këtë temë. Edhe kur morën vesh se vajza e tyre do të niste bashkëjetesën me mua për të njohur më mirë njëri-tjetrin, më kanë ndaluar në rrugë dhe duke më kërcënuar më kanë thënë që të hiqja dorë prej vajzës”, mësohet të ketë rrëfyer 33-vjeçari para efektivëve të komisariatit numër 4 në Tiranë. Gjithashtu, ai ka pohuar se ndodhej i vetëm në momentin që autori i kishte shkuar në banesë për të marrë vajzën, pasi kjo e fundit nuk ndodhej aty. Sipas tij, ka fat që mundi t’u shpëtojë plumbave duke marrë shkas nga afërsia që kishte me autorin. “Filloi të më kërcënonte. Më tha që t’i nxirrja menjëherë të bijën, por kur i thashë se nuk ndodhej aty, ai tentoi të hynte brenda. U mundova ta largoja prej aty dhe në momentin që e shtyva, pashë që futi dorën në xhep dhe nxori armën. As vetë nuk e di se si kam shpëtuar, por mbaj mend lëviza që me shpejtësi”, ka rrëfyer më tej i plagosuri.
Dëshmia e autorit
Besim Lata, personi i arrestuar nga policia si autori kryesor i plagosjes ka pranuar autorësinë e krimit. Teksa është marrë në pyetje në ambientet e paraburgimit, ai ka treguar se ka qenë në konflikte të vazhdueshme me 33-vjeçarin, pasi sipas tij, nuk ishte personi i duhur për të bijën. “Ai nuk është një njeri i qëndrueshëm për vajzën dhe familjen time. E njoh dhe nuk asnjëherë nuk kam dashur që ime bijë të kishte lidhje me të. Ia kam thënë shumë herë këtë gjë, por nuk më ka dëgjuar asnjëherë derisa ndodhi kjo që ndodhi”, ka rrëfyer Lata. Gjithashtu, ai ka treguar para hetuesve se kishte shkuar në banesën e Arbenit për të takuar të bijën dhe t’i kërkonte edhe një herë të hiqte dorë nga ai. Sipas tij, ngjarja ka ndodhur teksa ka qenë në debat e sipër me të riun dhe se ka qëlluar në momentin që ai ka tentuar ta shtyjë jashtë derës.
Ngjarja
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30 minuta të së shtunës, në banesën e Arben G. Shtetasi Besim Lata ka qenë së bashku me djalin e tij me iniciale B.L., të cilët kanë shkuar për të takuar vajzën e tij 28-vjeçare që t’i kërkonte për t’u ndarë prej tij, pasi prej disa kohësh kishin nisur të bashkëjetonin së bashku. Në konflikt e sipër, Lata ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar mbi 33-vjeçarin duke e plagosur. I riu u dërgua menjëherë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
BW