Zëvendëspresidentja Kamala Harris bëri një hyrje të madhe gjatë nisjes së fushatës së saj, të hënën në mbrëmje, dhe në sfond ishte kënga “Freedom” e Beyonce. Një burim i afërt me Harris tha për CNN se ekipi i saj mori miratimin nga përfaqësuesit e Beyoncé për ta përdorur këngën gjatë gjithë fushatës së saj presidenciale. Ndonëse Beyoncé nuk e ka mbështetur zyrtarisht Harrisin pasi Presidenti Joe Biden njoftoi se nuk do të kërkonte një mandat të dytë, dhënia e lejes për të përdorur “Freedom” si një këngë fushate, tregon se Harris ka mbështetjen e superyllit.
Nëna e Beyonce, Tina Knowles, doli në mbështetetje të Harris, menjëherë pas njoftimit të Biden. “E re, e mprehtë, energji!”, postoi në Instagramin e saj Knowles me një foto të saj së bashku me Harris. “Duke lënë mënjanë egon personale, fuqinë dhe famën. Ky është përkufizimi i një udhëheqësi të madh. Faleminderit Presidenti Biden për shërbimin dhe udhëheqjen tuaj”, shkroi ajo.
Beyonce është përfshirë gjithmonë në fushatat elektorale të kandidatëve demokratë. Në vitin 2013, ajo këndoi Himnin Kombëtar në ceremonin e Presidentit Barack Obama. Në vitin 2016, Beyoncé dhe bashkëshorti i saj Jay-Z kryesuan një koncert parazgjedhor për Clinton në Cleveland, Ohio, me një superperformancë ku kërcimtaret e saj dhe ajo vetë ishin veshur me kostume blu për të nderuar gruan që mund të ishte presidentja e parë femër.
“Dua që vajza ime të rritet duke parë një grua që drejton vendin tonë dhe duke e ditur se mundësitë e saj janë të pakufishme. Dhe kjo është arsyeja pse unë jam me të”, tha Beyonce në atë kohë. Në vitin 2020, Beyoncé doli publikisht në mbështetje të Biden, duke postuar në Instagram për të inkurajuar ndjekësit e saj të votojnë.
Kënga “Freedom”, debutoi në albumin “Lemonade” të Beyoncé në vitin 2016. Kënga e nominuar për Grammy u bë himn në shumë demonstrata pas vdekjes së George Floyd në 2020. Të hënën mbrëma gjatë fushatës, Harris u shfaq në podium teksa dëgjoheshin vargjet e këngës: “Liri, Liri / Ku je? / Sepse edhe unë kam nevojë për lirinë / I thyej zinxhirët vetëm / Nuk do ta lë lirinë time të kalbet në ferr / Hej! Unë do të vazhdoj të vrapoj / Sepse një fitues nuk heq dorë nga vetja.”
/a.r