Nga Namir Lapardhaja
Zbardhja e vendimit të Apelit lidhur me vulën dhe logon e PD-së, nxori edhe një herë në pah se sa lehtësisht i intimiduar është sistemi i drejtësisë në vend, pavarësisht Reformës në Drejtësi dhe asistimit ndërkombëtar në segmente të caktuara të tij, siç është SPAK dhe GJKKO.
Pjesa tjetër është lehtësisht e shantazhueshme dhe lehtësisht nën presionin e politikës.
Gjykata e Apelit nëpërmjet zbardhjes së vendimit të saj tregoi se nuk ka bërë asgjë më shumë se sa Zhukri, i cili njohu si kryetar të PD-së Sali Berishën.
Nëse Zhukri ishte pjesë e enturazhit dhe oborrit familjar të Berishës, duke qenë se gjithçka e kishte pasur si rezultat i shërbimeve, trupa e re gjyqësore, dy prej të cilëve ishin linçuar, akuzuar dhe trysnuar nga Ballkoni i katit të 8-të si të lidhur me pushtetin, më së paku, i kanë rënë për shkurt dhe nuk e kanë marrë fare në shqyrtim ankesën e PD-së së Bashës, duke nxjerr si justifikim parregullësinë e autorizimit.
Më së pakti, e kanë bërë për të “shpëtuar” nga Berisha, ndërsa, nëse do të besojmë akuzat e Berishës ndaj tyre, i janë bindur pushtetit për të mbajtur në lojë pikërisht Berishën, si kundërshtar më tepër se komod për këtë qeveri.
Mbi të gjitha, trupa e Apelit nuk ka marrë në konsideratë rekomandimin e Gjykatës së Lartë që i kërkonte Apelit trajtimin e çështjes së PD në themel.
Ndaj pas kësaj zbardhje, rekursi në Gjykatën e Lartë është rruga e vetme.
Jo se ai vendim do ta zhbëjë dëmin e madh që i është bërë frymës opozitare në vend, por për të vendosur drejtësi dhe për të zhbërë një mënyrë të padrejtë të bërjes së punëve në këtë vend.