Pas SHBA, edhe BE nëpërmjet ambasadorit të saj në Shqipëri Silvio Gonzato, ka shprehur mbështetjen e saj për Reformën në Drejtësi dhe punën e bërë nga SPAK.
Nga qyteti i Shkodrës ai përcolli dy mesazhe të forta, se lufta ndaj korrupsionit është prioritet për integrimin në BE dhe SPAK në këtë drejtim po bën një punë të mirë.
“Ne nuk flasim për hetime që po zhvillohen, por mund të them se ajo që po ndodh është ajo që ne kemi pritur. Dhe natyrisht se Reforma në Drejtësi e vitit 2016 është duke funksionuar. Ne duhet të lejojmë SPAK të bëjë punen e vet, të krijojmë hapësirën qe ta bëjnë këtë. Në të njëjtën kohë mund të them se ndoshta ajo reforme siguron se sistemi gjyqësor është i pavarur, i pavarur nga ndikimi politik. Dhe problemi që të gjithë e dimë që është pengesa kryesore, e Shqipërisë në rrugën drejt BE e ky është korrupsioni. Mendoj se është sinjal i mirë, unë besoj dhe shpresoj se SPAK do bëjë punën e tij. Por ne nuk duam të shikojmë aspektin ndëshkues, por edhe strukturën, atë mjedis që krijon këtë mundësi për korrupsion të adresohet ”, tha ambasadori.
Më tej, Gonzato foli dhe për Reformën Zgjedhore, duke thënë se duhet të ndiqen rekomandimet e OSBE. Ai theksoi se shpreson që partitë do të gjejnë rrugën në përgjigje të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.
Sipas ambasadorit, zgjedhjet e ardhshme duhet të shmangin një rezultat elektoral, i cili mund të kontestohet.
“Kjo është diçka që më ka shqetësuar që në fillim, kur erdha në Shqipëri dhjetorin e kaluar. Dhe unë e kam bërë të qartë qëndrimin tim, bazuar edhe në dokumentin zyrtar tonin, është e rëndësishme të ndjekin rekomandimet e OSBE dhe të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse. Kam shpresuar se kontaktet me partitë e ndryshme do jepnin rezultat. Gjithashtu, tani di se janë edhe disa çështje të tjera që duhen adresuar, që është vendimi i Kushtetueses, i cili duhet parë sërish,
“Ende shpresoj që partitë do të gjejnë rrugën, në përgjigje të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë. Dhe të sigurojnë se zgjedhjet e ardhshme të bëhen në klimën më të favorshme të mundshme. Ne duam të shmangim një rezultat elektoral, i cili ndoshta kontestohet. Duam që zgjedhjet të bëhen në mënyrën e duhur, që sjell stabilitet që Shqipërisë i duhet në rrugën drejt BE-së. Këto janë kohë vendimtare ku negociatat me BE shkojnë në një fazë të caktuar dhe ne na nevojitet kapacitet administrativ, dhe vendosmëri politike për integrimin europian”, u shpreh ai.
/a.r