Sipas disa sondazheve dhe statistikave bëhet e ditur se siguria në vend po pëson një rritje. Këtë e konfirmon edhe analisti Eduard Zaloshnja, i cili ka kryer një sërë sonazhesh. Në një intervistë për Klan News me gazetarin Besard Jacaj, ai tha se niveli i sigurisë në Shqipëri është në rritje.
Ai theksoi gjithashtu se vitet e fundit ka patur një rënie periodike të indeksit për sa i përket numrit të vdekjeve nga krimi dhe aksidentet. Sipas analistit, rënia më e madhe e vdekjeve si pasojë e këtyre shkaktarëve ka qenë në 6-mujorin e parë të këtij viti.
“Analiza është bazuar vetëm në dy tregues të sigurisë së jetës, që janë siguria nga krimet dhe nga aksidentet rrugore. Nuk kemi patur të dhëna të hollësishme për sigurinë ndaj zjarrit, ndaj aksidenteve sportive etj. Por për këto dy drejtime ka të dhëna shumë precize, shumë të sakta. Duke parë shifrat e gjithë dekadës së fundit ne në këto 6 muaj të parë të vitit të 2024, kemi indeksin më të ulët të vdekshmërisë nga këto dy shkaqe, pra krimi dhe aksidentet rrugore.
Me indeks të vdekshmërisë kemi parasysh se sa përqind të vdekjeve që kanë ndodhur në 6-mujor kanë ardhur nga këto dy shkaqe. Në 6-mujorin e parë ne zbritëm te 0.86% ose ndryshe mesatarisht 8.6 vdekje nga krimi dhe aksidentet rrugore për 1000 vdekje nga të gjitha shkaqet. Ky tregues është më i ulët se sa një vit më përpara. Një vit më përpara ishte 1% e vdekjeve erdhën nga këto shkaqe ose më saktë 10 vdekje për 1000 vdekje nga të gjitha shkaqet,” tha Eduard Zaloshnja.
Zaloshnja theksoi se shifrat aktuale të nxjerra nga sondazhet e kryera e afrojnë më shumë vendin tonë me nivelet e Bashkimit Evropian për sa i përket sigurisë së shtetasve.
Analisti tha gjithashtu se indeksi i sigurisë së jetës në Shqipëri është dy herë më i lartë se në Malin e Zi.
Më tej gjatë fjalës së tij ai bëri krahasimin e këtij 6-mujori të parë, me të vitit që lamë pas, duke dhënë dhe shifrat përkatëse.
“Në 6-mujorin e parë të këtij viti kishin 18 vdekje nga krimi dhe 74 vdekje nga aksidentet rrugore. Në 6 mujorin e një viti më parë kishim 90 vdekje nga aksidentet rrugore, kurse nga krimi kishim 19 vdekje. Pra siguria e jetës së shqiptarëve në këtë periudhë për sa i përket këtyre dy shkaqeve ka arritur në nivelin më të lartë të sigurisë. Që kur ra regjimi diktatorial këtu u shtuan në mënyrë masive numri i vdekjeve nga krimi dhe aksidentet. Por gradualisht duke u fuqizuar shteti dhe Policia e Shtetit ka ardhur duke rënë numri i vdekjeve, pra kemi një kurbë në rënie që ka qenë e theksuar sidomos këto vitet e fundit,” përfundoi fjalën e tij analisti Eduard Zaloshnja.
/a.r