Gjatë ceremonisë së homazheve për shkrimtarin e madh Ismail Kadare, botuesi i tij Bujar Hudhri, në një prononcim për mediat tha se Kadare u mor me një ambulancë të thjeshtë.
Ai u shpreh se në automjetin e Urgjencës mungonte impianti që mund t’i vijë në ndihmë të sëmurit.
Një pretendim të tillë e ka hedhur poshtë Kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj.
Në një deklaratë për gazetarët, ai tha se autoambulanca ishte e pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme.
“Mund të them se deklarata… nuk e di nëse një botues është në gjendje të vlerësojë një ekip mjekësor, apo ambulancë. Mund të them që prej 4 apo 5 vjetësh që Kadare është në Shqipëri ka pasur në dispozicion Urgjencën midis rezidencës festive në Qerret dhe në Tiranë. Sa herë ka qenë e nevojshme kemi qenë prezent. Personalisht kam pas një raport të tillë që për çdo gjë isha prezent. Nga interesimi që unë bëra, nga momenti që është bërë telefonata ka shkuar ekipi që ndodhej në Qendrën Shëndetësore numër 8 mbas shtëpisë, brenda pak minutash, e ka gjetur në kushte arresti dhe është filluar menjëherë reanimacioni kardiopulmonar. Janë përdorur 3 ampula të adrenalinës që bëjnë çdo 3,5 minuta, ventilimi. Ndërkohë, është dërguar një ekip i dytë nga vendngjarje, duke menduar se mund të ishte i nevojshëm transporti i menjëhershëm dhe mund të mos kishte nevojë për suport. Ndërkohë, edhe në ambientet e QSUT-së është vazhduar reanimacioni kardipulmonar më shumë se 30 minuta, më pas është intubuar dhe më pas ka vazhduar protokolli. Kështu, përgënjeshtroj çdo deklaratë që mund të bëhet nga kushto sepse kam qenë vet prezent dhe e di shumë mirë sesi është bërë dhe besoj është dëshmitare edhe vet familja Kadare, me të cilët kam qenë në kontakt dhe na kanë falënderuar herë pas here”, tha Brataj.