Në këto ditë të nxehta vere, të shoqëruara me shtim të problematikave shëndetësorë, bluzat e bardha në Gjirokastër kanë ngritur qendra ambulatore të lëvizshme për dhënien e ndihmës mjekësore. Çadrat e lëvizshme me stafet e kompletuara mjek dhe infermier janë në shërbim të banorëve në qytet dhe njësitë administrative
“Kjo vjen si pasojë e stinës së nxehtë të verës ku temperaturat kanë qenë tepër të larta dhe ne kemi qenë gjithmonë afër qytetarëve për të sensibilizuar ata kryesisht por edhe për të bërë diagnostikime të rastësishme të qytetarëve kryesisht tek moshat e treta, gratë shtatzëna apo këshillime për fëmijë të vegjël”,-tha Edi Sinoimeri, drejtor i njësisë vendore të kujdesit shëndetësor.
Përgjatë vizitave ambulatore krahas dhënies së ndihmës së parë bluzat e bardha kanë konstatuar edhe sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.
“Nga këto nisma ne konstatojmë që qytetarët kanë hipertension apo diabet të lartë, sëmundje të tjera të rastësishme ku i referojmë menjëherë pranë ambulancave tona të lagjes, tek mjeku i familjes dhe duke ndjekur protokollet përkatëse tek mjeku specialist, kemi patur dhe raste që i kemi dërguar menjëherë në urgjencën e spitalit të Gjirokastrës”,-tha Sinoimeri.
Si shkak i temperaturave të larta të motit strukturat shëndetsore në Gjirokastër po tregojnë kujdes të shtuar për turistët që vizitojnë qytetin e gurtë dhe rrethinat
“Numri i turistëve vjen duke u rritur dhe në këtë lloj mënyre dhe shërbimet tona shëndetësore të shërbimit parësor janë përforcuar me mjekë dhe infermierë kryesisht në zonat turistike si qyteti muze i Gjirokastrës apo dhe zonat rurale si Libohova,Dropulli,Lunxhëria, etj ku të gjitha shërbimet tona mjekë dhe infermierë janë në dispozicion të menjëhershëm të gjithë turistëve që vijnë nga vende të ndryshme të botës”,-tha Sinoimeri.
Për të evituar shqetësimet shëndetësore nga moti i nxehtë bluzat e bardha rekomandojnë evitimin e orëve të qëndrimit në diell, konsumimin e sa më shumë lëngjeve, qëndrimin në mjedise të freskëta, etj.