Pas skandalit të mjekëve në QSUT, Shërbimi Onkologjik thyen heshtjen. Mjekë të këtij spitali pranojnë mungesën e ilaçeve në shërbimin e sëmundjeve të rënda, ndërsa sqarojnë akuzat për përgjysmimin e dozave të mjekimit.
Kimioterapeuti Sotiraq Senjo thotë se janë mjekët ata që përcaktojnë dozën e kimioterapisë në varësi të gjendjes dhe moshës së pacientit. Ndërsa shërbimi i RadioLogjisë në Onkologjik ka sqaruar dyshimet e ngritura nga një grup mjekësh brenda këtij spitali, për nivele të larta të rrezatimeve që vijon të lëshojë sipas tyre aparatura e Brakiterapisë.
Fizikanët pranojnë se norma e rrezatimeve u tejkalua disafish vetëm kur u bë testimi për ta vënë në punë. Pasi ekspertët e huaj konstatuan se ambienti në Onokologjik nuk plotësonte kushtet teknike për radioaktivitetin, u vendos mbyllja e aparaturës si dhe u bë kapsulimi i burimit radioaktiv, me të cilin punon pajisja.
Pas publikimit të dosjes në media, mjekët nuk fshehin klimën e acaruar mes tyre dhe pacientëve. Pas ngjarjes në QSUT, Ministria e Shëndetësisë ka pezulluar nga detyra deri në zbardhjen e hetimit, mjekët Alketa Pere, Edmond Gashi, koordinatorin Emiljano Lela dhe zëvendësdrejtoreshën e QSUT, Brikena Qirizai, përgjegjëse për onkologjikun. Ndërsa Brakiterapia apo kobalti, një donacion për QSUT në 2021, vijon të jetë e mbyllur. Ajo ka dhe një vit afat nga skadimi i burimit radioaktiv.
Kjo pajisje, që në Europë është nxjerrë nga përdorimi, shërben për trajtimet alternative të pacienteve të prekura nga kanceri i qafës së mitrës./a2