“Albanian Dialects” ose “Dialektet shqiptare” ka qenë projekti i fundit i albanologut Robert Elsie- një punë e mrekullueshme për dokumentimin e shqipes së folur në kohën tonë. Elsie, që prej vitesh merret me studimin e larmive të ndryshme të kulturës shqiptare, ka shkuar në zona të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e Malit të zi e më gjerë për të incizuar të folmet shqip brenda dialekteve gege e toske. Të gjitha incizimet ai i ka publikuar në uebsajtin e tij ‘elsie.de’, duke ofruar varietete të ndryshme të gjuhës së folur. Ai sqaron se të folmet kanë ndryshime nga zona në zonë dhe se sipas tij janë krejt magjepsëse. “Disa prej folësve janë folës të mirë të dialekteve, disa janë regjistruar për të dhënë një ide se si shqipja moderne përdoret në zona të ndryshme”, thotë Elsie, duke lajmëruar se shqipja ka dy dialekte kryesore: Dialekti geg për Shqipërinë e Veriut dhe ai tosk, për Shqipërinë e Jugut. Ai e vë kufirin mes dy dialekteve tek lumi Shkumbin.
Puna e tij ka nxjerrë në pah 10 të folme kryesore:
Gegërishtja veriperendimore,
Gegërishtja verilindore,
Gegërishtja qendrore,
Gegërishtja jugore,
Dialekte tranzite,
Toskërishtja e veriut,
Toskërishtja labe,
Toskërishtja çame,
Toskërishtja e arvanitëve ,
Toskërishtja e arbëreshëve.
Albanologu ka publikuar deri më tani 12 incizime në Mal të Zi, 26 në Maqedoni, 34 në Kosovë dhe 75 në Shqipëri. Incizimet nuk i ka realizuar vetëm. Siç shihet, kur klikohet mbi zërat, shihet edhe personi që ka incizuar Artur Metani, Nick Gjonaj, Lumnije Jusufi, etj. Për secilin regjistrim ka disa të dhëna: Emri i personit, mosha, vendi i origjinës, vendi ku jeton dhe koordinatat, tema për të cilën flet, dialekti ose nëndialekti i përdorur, sa zgjat dhe personi që e ka regjistruar.
Albanologu kujton se lexuesi duhet të ketë parasysh që për shumë prej dialekteve lokale, fjala e fundit nuk është thënë ende. “Falënderimet e mia shkojnë për ata që më kanë ndihmuar mua në këtë projekt. Mes tyre janë shumë fermerë e çobanë të cilët u mahnitën dhe u hutuan, kur një i huaj i çuditshëm u afrua pranë tyre dhe kërkonte të incizonte të folurën e tyre pa asnjë arsye. Shpresohet që koleksioni i incizimeve të vlejë në mënyrë të veçantë jo vetëm për dialektologët, por për të gjithë ata që kanë interes në gjuhën shqipe”, thotë ai duke kujtuar se një punë e ngjashme është bërë edhe nga Jorgji Gjinari, Gjovalin Shkurtaj, Agnija Desnickaja, Shaban Demiraj dhe Bahri Beci.
Kohët
Incizimet janë bërë në kohë të ndryshme. Ka incizime që i takojnë pranverës së vitit 1999, ku Artur Metani ka regjistruar një kosovar në kampin e refugjatëve të Tiranës.
Ka incizime të viteve 2008 dhe 2009 dhe janë mosha të ndryshme që kanë treguar eksperienca të ndryshme: ose kujtime të tyre, ose mendime të tyre, për Shqipërinë, Kosovën. Kanë treguar luftën, jetën, zakonet e tradita- çka është një vlerë e shtuar, rrëfimi në vetë të parë i ikjeve, shpërnguljeve, emigrimeve. Regjistrimet janë bërë në fshatra, qytete por edhe në SHBA, siç është rasti i Viktor Prela Krcaj, lindur në Konik, Podgoricë që është incizuar në Detroit, Michigan më 2009 nga Nick Gjonaj. Krcaj flet për kishën 740-vjeçare të Kojës së Kuçit, flet për zonën e tij dhe dhimbjet që lanë pas luftërat me turqit e sllavët e njëherësh edhe përpjekjet për mbijetesë.
Një tjetër rrëfim është ai i bariut Qazim Metoviq, lindur më 1941, nga Kraja e Tivarit që flet për një kishë të serbizuar. Qahil Beqiri 71 vjeç nga Pollogu i sipërm në Maqedoni është incizuar nga Lumnije Jusufi ashtu si Arif Daci, lindur më 1930 nga Dibra e Maqedonisë i cili flet për luftën dhe për faktin se Dibra ka pasur trima, sa që mund të digjej Stambolli…
NDARJET
Elsie ka sjellë edhe disa hollësira mbi dialektet e nëndialektet. Vëmë re se të gjitha këto janë në gjuhën angleze, dhe se kësisoj janë një informacion i dorës së parë, edhe për të huajt e interesuar për Shqipërinë, të cilët falë gjuhës angleze në të cilën jepet informacioni, munden të kenë akses në të dhënat për Shqipërinë dhe gjuhën e folur të saj.
Shkurtimisht, Elsie informon se:
DIALEKTI GEG
I folur në shumicën e Shqipërisë së veriut, mbi lumin Shkumbin, e po ashtu në Kosovë, Mal të Zi, Serbi në pjesën perëndimore të Republikës së Maqedonisë, deri afër Zarës në Kroaci.
Për nëndialektin geg në veri të lumit Mat, ai thotë se përfshin:
Ulqinin, Krajën e Podgoricën në Mal të Zi, rajonin e Shkodrës, Lezhën, Malësinë e Madhe, Dukagjinin, Pukën, Mirditën, Plavën, Malësinë e Gjakovës, Lumën, Hasin, Kosovën dhe Preshevën. I ndarë në nëndialektin geg të perëndimit dhe në atë të lindjes, ai madje bën ndarje me zona. Nëndialekti i gegërishtes jugore përfshin zonat: Mat, Lurë, Peshkopi Maqedoninë Perëndimore (Dibër, Shkup, Kumanovë), Krujë, Tiranë dhe Elbasan. Nuk lë jashtë vëmendjes as nënndarjet e tjera.
Format tranzitore- sipas tij, fliten në 10-20 kilometra përgjatë Shkumbinit, në Myzeqe, Dumre, Shpat, Polis dhe Qukës.
DIALEKTI TOSK
Flitet sipas Elsiesë në jug të lumit Shkumbin deri në Greqi dhe në vendbanime shqiptare në Itali, Greqi, Bullgari dhe Ukrainë.
Nëndialekti i toskërishtes veriore përfshin Myzeqenë, Mallakastrën, Beratin, Fierin, Skraparin, Tepelenën, Përmetin, Vlorën(në perëndim) dhe Pogradec, Korçë, Kolonjë, Devoll, Ohër, Prespë dhe Monastir(në lindje).
Nëndialekti tosk i jugut flitet nga Vlora në Greqi, duke u ndarë në variantin lab në Kurvelesh, Himarë, Delvinë dhe Gjirokastër dhe në variantin çam(në anglisht cham) që flitet siç thotë Elsie në pjesën shqiptare të Çamërisë dhe në pjesën greke të saj deri në Prevezë.
NËNDIALEKTI ARVANITAS
Është folur, shënon Elsie, tradicionalisht në rreth 300 fshatra në Greqinë qendrore, deri në Peloponez e Korint, në ishuj. “Ky dialekt arkaik është duke u vdekur (në kuptimin duke u zhdukur), megjithëse mund të ketë ende nga 50,000 deri në 250,000 folës (të vetët), më së shumti njerëz në moshë”.
NËNDIALEKTI TOSK ITALO-SHQIPTAR
Elsie e shkruan: “Italo-Albanian Tosk subdialect”- dhe bëhet fjalë për gjuhën e arbëreshëve që sipas tij është një variant arkaik i së folmes(toske) e folur nga rreth 90,000 veta në jug të Italisë. “Folësit mund të gjenden në fshatra malorë, në rajonet e Kalabrisë, Pulias, Sicilisë, etj”./GSH