Poeti i njohur, Agim Doçi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Shërbimin Neurovaskular në qendrën spitalore universitare Nënë Tereza, pasi një ditë më parë pësoi hemorragji cerebrale në kokë.
Burimet për Report Tv nga spitali bëjnë me dije se gjendja e poetit Agim Doçi vijon të jetë e njëjtë pa asnjë lloj ndryshimi.
Të njëjtat burime thanë se poeti u hospitalizua në orët e para të mëngjesit të të shtunës (22 qershor) në Qendrën Stroke, QSUT pasi shfaqi çrregullim të të folurit dhe pamundësi në ruajtjen e ekuilibrit.
Doçi u referua nga Spitali Bashkiak i Pogradecit ku kishte ndodhur goditja dhe u soll drejt QSUT me autoambulancë, ku u prit nga stafi mjekësor më në krye drejtoreshën e QSUT, Alma Cani. Aktualisht po mbahet në monitorim nga mjekët neurokirurg dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Agim Doçi është autor i qindrave teksteve të këngëve shumë të njohura, fituesi i mbi 50 çmimeve, ndër to dhe dy herë përfaqësues me tekstet e tij në Eurovizion.