Pandeli Majko, i cili në kohën e luftës së fundit në Kosovë ishte kryeministër, u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe KiE mund të ndeshë në vonesa formale.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve KosovaPress, z. Majko u shpreh se për momentin Kosova është ndërkombëtarisht shteti më i lakuar në rajon dhe vendet e tjera do ta kishin zili.
“Ka një mision të veçantë të dialogut nga Brukseli dhe gjithë ky territor që quhet Kosovë garantohet nga trupat e NATO-s. Mendoj se mund të kemi një vonesë formale në pikëpamje të pritshmërisë, nga këndvështrimi i 25 viteve që kanë kaluar, por unë mendoj se është thjesht çështje numërimi mbrapsht, nuk është çështja ‘si’. Për ne shqiptarët tani ka vetëm një pyetje: kur?” u shpreh ai.
Sipas tij, Kosova është më e sigurt sa i përket kërcënimeve nga Serbia, sesa Bosnjë-Hercegovina, për shkak të prezencës së NATO-s. “Rrethana tjetër është në kujtesën e këtyre 25 viteve, se nëse preket Kosova, preket edhe Shqipëria.”
Z. Majko një ditë më parë u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Rahovecit”. Për bashkëpunimin politik e ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës ai mendon se bashkëpunimi është duke u zhvilluar në të gjitha sferat.
“Ka zhvillime ‘të frikshme’, të cilat ne vetëm mund t’i imagjinojmë, sepse nuk bëjnë pjesë në statistikat e Kosovës dhe Shqipërisë, por shqiptarët e Kosovës po vijnë, po blejnë troje, shtëpi, po bëjnë biznese dhe anasjelltas. Njëkohësisht, mendoj se ky është vetëm fillimi i fillimit. Ne vijmë nga një traumë, e cila ka vazhduar për rreth një shekull dhe tanimë, për fat të mirë, ka rreth 25 vite që koha po punon për ne,” ka shtuar ish-kryeministri shqiptar.
I pyetur nëse kishte ndonjë mesazh për qytetarët e Kosovës, z. Majko u përgjigj se “vëllai-vëllait nuk i jep mesazh, kuptohen edhe pa e thënë”.
/a.r