Nga Dritan Hila
Sot Ilir Meta është parë nga Roskoveci me një vare duke i rënë një cungu betoni. Rreth tij rrinin disa persona të cilëve u bëri ftesë që të bashkoheshin në një kryengritje, revolucion apo lëvizje kaçake, d.m.th diçka kundër qeverisë. Vendndodhja ishte afër inceneratorit të Fierit. Dikur fshatarët e zonës patën bërë një protestë e cila u shua shpejt. Inceneratori në fjalë do mblidhte plehrat e Fierit, Lushnjës dhe Vlorës. Aktualisht është i bllokuar për arsye politike të protestave opozitare.
Objektit në fjalë i duhen edhe 10% lëvrim fondesh pasi 90% janë paguar, për të zhdoganuar paketat elektronike që janë në doganë, por askush nuk firmos lëvrimin e fondit nga frika mos bëhen objekt goditjeje politike. Ndërkohë personeli i specializuar jashtë ka braktisur punën pikërisht pasi shikon shokët e Metës që bëjnë si të lënë nga trutë. Pasojat janë të mëdha në fushën e higjienës qytetëse të qarqeve limitrofë dhe në fushën e turizmit. Vlora nuk mund të përballojë kapacitetet turistike nëse vazhdon meseleja me landfille. Ndërkohë fshatarët janë qetësuar, por është tërbuar Meta.
Por puna është që Meta nuk ka hallin e fshatarëve, por të vetin. E ndaj, ka ardhur koha që të kuptojë se Berisha i mbylli hallet e veta. Ndërkohë njerëzit kanë hallin e punës dhe të kapin ndonjë lek se është sezon turizmi dhe e kanë kuptuar që revolucionet janë për ata që i hipin kalit të qeverisë. Ndaj për hatër të kalamajve ta lërë atë punë vetë duke hedhur Tedin mbi kokat e policëve të Erion Veliajt në Tiranë dhe mos u sulet shtyllave lart e poshtë Shqipërisë. E ka bërë njëherë Edi Rama para 30 vitesh, por historia kur përsëritet bëhet qesharake. Kaq duhet ta ketë lexuar si njeri i kënduar që është.