Nga Frrok Çupi
Këta, me sa duket, janë nisur të gjithë për në shtëpinë e re. Ndodhet te Zogu i Zi. Adresa që i thonë ‘Don Bosko është veçse një ngatërresë; Don Bosko është shumë ‘i ri’ para Zogut të Zi. Vendi aty është quajtur gjithnjë ‘Zogu i Zi’
Gazetari i pashoq dhe miku im i ndritur, Fatos Baxhaku, pat shkruar një libër, jo voluminoz, por të studiuar kujdesshëm dhe shkruar me brilancë. Ai e ka treguar me dëshmi pse ajo zonë thuajse jashtë qytetit atëherë, në pikën me Perëndimore të Tiranës, ishte quajtur ‘Zogu i Zi’.
Ka shumë konotacion me jetën e sotme, veçanërisht nervozizmi i kandidatëve për në ‘shtëpinë e re’ të Zogut të Zi, e sjell edhe më afër ‘shtëpinë e vjetër’. Dje, ish presidenti dhe ish kryeministër dhe ish kryeparlamentar, dhe ish ça të dush…, zoti Ilir Meta, iu afrua shumë ‘Zogut…’ kur mbajti një fjalim rreth ‘baxhellave’. Është një fjalë e papërshtatshme, aq sa nuk mund të thuhet; por kur e thotë kryetari i shtetit, nuk ke çfarë bën. Në atë kohë, kur shtëpisë së vjetër të Zogut i vinin shumë banore, si nga Italia edhe nga Shqipëria, askush nuk ishte aq katil sa t’i quante ‘baxhella’. Zonjat e ardhura shërbenin sojliun.
Aq sa kishte klientë shqiptarë të sërës së pasur, aq kishte edhe italianë. Madje vetë aeroporti u ndërtua aty pranë për të mos humbur kohë ‘personalitetet e larta’, siç mund të quhen sot Iliri, Saliu e shokë. Mysafiret quheshin banoret e ‘shtëpisë publike’, dhe kaq. Ca njerëz vulgarë, më vonë, të mësuar me moralin e imponuar të Partisë, nisën t’i prozvalin e t’i quajnë herë ‘prostituta’, herë ‘të përdala’, por asnjëherë kaq keq sa ç’i quan presidenti i djeshëm.
Ish presidenti tani e frekuenton shtëpinë e re te Zogu i Zi, disa herë në muaj, bashkë me të shoqen, Monika. Po si mundi ta thotë atë fjalë aq të rëndë kur pak para tij në atë shtëpi u pa që hyri e shoqja?!
Shtëpia e re e politikanëve shqiptarë që janë zhytur me vite në një korrupsion dhe krim të pa treguar, mban emrin ‘SPAK, Rruga Don Bosko’. Kjo shtëpi po frekuentohet mjaft shpesh nga ish presidenti dhe ish zonja e parë, nga familja e ish presidentit dhe kryeministrit Berisha, dhe nga zyrtarë të epokës së re që askush nga partia e tyre nuk i përkrahu, por i drejtuan ‘për atje, te shtëpia’.
SPAK, Rruga ‘Don Bosko’!… Ca vite të shkuara ky emër, nëse do të mund të formulohej, do të dukej si një Ufo, ose si një konstelacion yjesh që nuk ka punë me këtë tokë. Por ja që zbriti këtu dhe po thith një nga një dinozaurët e korrupsionit. Deri dje ata ëndërronin të vinin fshehurazi, natën, te Zogu i Zi, në kuptimin që studioi Fatos Baxhaku. Ndoshta kjo etje e parealizuar e bëri ish presidentin të mbante një fjalim të tërë për ‘baxhellat’.
Them se është një e vërtetë reale arsyeja pse këta ‘kanë ikur nga mendtë’, mbajnë fjalime fantazmave nën ballkon ose flasin për ‘vrasje në Malin me Gropa’. Padyshim konvulsionet kanë të bëjnë me shpjegimin që i ka dhënë Frojdi. Fenomeni ka lidhje me urinë seksuale; nuk ka lidhje me politikën. Se ç’ne ‘politika’ t’u bëhet kaq adrenalinë, kaq shumë opsesion, kaq shumë ëndërr, kaq shumë paranojë, kaq shumë fobi?!
E ç’ne, një vulë të bëhet kaq epshore!?
Jam i mendjes se vetëm uria seksuale i ka çuar në këtë pikë shpërthimesh me paranoja e dëshira, njëherësh. Fakti që ish presidenti del para publikut, në një fjalim me letër, dhe i rrëshqet truri e i shkon nga Partia te ‘baxhella’, nuk ka shpjegim tjetër.
Por edhe lidhja mes ‘Don Boskos’ dhe ‘Zogut të Zi’, i tërbon këta, i tërbon si ‘bari’. Se, në këtë mes diçka fshihet: O Don Bosko, një prift italian i shekullit 20 që e kishte për betim në ungjill të mos kishte punë me asnjë ‘shtëpi publike’, ose Zogu i Zi që e kishte për mision shtëpinë e atyre që tani Meta u thotë ‘baxh…’.
Kjo është një ngatërresë e madhe në ‘histerinë e mbrojtjes’ sipas Frojdit.