Nga Namir Lapardhaja
Pak ditë më parë, një portal i njohur risolli në vëmendje të publikut një detaj të rëndësishëm për të kuptuar se kush janë ata përballë, ata që kanë marrë vulën dhe logon e PD-së, dhe ata që po shtiren sikur të jenë alternativë e ndryshme nga kjo e Edi Ramës.
Portali ribotoi pseudonimin e një ish-bashkëpunëtoreje të hershme të Sigurimit të Shtetit, sot një ndër mbrojtëset e angazhuara publike të Sali Berishës, ish-këshilltare e tij.
Jo vetëm që kishte qenë e përlyer me ish-sigurimin famëkeq të shtetit, por ish-këshilltarja e Berishës, sot mbrojtësja e tij e zjarrtë, gjatë kohës që kishte punuar si këshilltare e ish-kryeministrit, së bashku me një ish-këshilltar tjetër të tij, sot i angazhuar në strukturat drejtuese të partisë së Ilir Metës, kishin marrë leje për ndërtimin e një HEC-i, pikërisht nga shefi i tyre, kryeministri Berisha, në një kohë që si vartës dhe si punonjës të atij institucioni nuk mund ta merrnin për shkak të konfliktit të interesit.
Pra, së pari, bashkëpunëtore e Sigurimit të Shtetit, dhe, së dyti, pronarë HEC-esh dhe TEC-esh.
Për të mos folur për ata nga k grupim që ditën shajnë qeverinë, ndërsa natën marrin leje për kulla po nga kjo qeveri.
Kështu vijon pastaj edhe nga pronarët e televizioneve, që i mbajnë në lojë fuqishëm, duke i promovuar dhe duke porositur që vetëm ata të jenë ekraneve, apo analistë e drejtues të rëndësishëm televizionesh, që betejën mes tyre e kanë sikur zihen lagjet “Rolling Hills Tirana” me “Green Coast Palasë”.
Që të merremi vesh, problemi nuk është se janë pasuruar, por sepse një pasuri të tillë e kanë vënë duke qenë në detyra shtetërore dhe publike, gjë që i ekspozon ata thellësisht ndaj të qenit të korruptuar.
Përballë kësaj panorame, me pronarë koncensionesh, TEC-esh dhe HEC-esh, kemi një grusht militantësh, të pabukë, që përdoren dhe keqpërdoren për të ushqyer pikërisht nga mundi dhe përkushtimi i tyre dinosaurët e korrupsionit, që duan të mundin Edi Ramën jo se është hajdutë dhe i korruptuar, por sepse është duke vjedhur, sipas tyre, atë që u takon atyre ta vjedhin.