Haqif Iljazi, kishte mbaruar shkollën e mesme për mjekësi dhe ndodhej në burg së bashku me vëllain. Ishin arrestuar si pjesëtarë të UCK, në maj të vitit ’98.
Fillimisht ishin izoluar në burgun e Prizrenit. Më pas u dërguan në Nish dhe në prill ’99, kur ishte edhe vlugu më i madh i bombardimeve ndaj qarqeve serbe i sollën në Dubravë.
“Pashë një të burgosur që ishte plagosur, isha shtang nga gjaku që i dilte prej qafe dhe vjen vllau më shkund dhe më thotë që tani është momenti që të veprosh, jam sul drejt të plagosurit, jam përpjek me i dhënë ndihmën e parë dhe u kam thënë vraponi drejt spitalit të burgut e merni ç’të mundni”, u shpreh Haqif Iljazi, i mbijetuari i masakrës së Dubravës.
Veç pak jod, pa fasho, e vetmja ndihmë që mund tu jepnin në ato kushte ishte të ndalonim gjakderdhjen.
“Jemi përball me gjithçka.. kemi improvizuar çarçafë, me improvizu fasho. ideja ka qenë me u qenë afër, sepse nuk kishim shumë me i ndihmu“, u shpreh i mbijetuari i masakrës së Dubravës, Haqif Iljazi.
Bislim Zogaj, që kishte një eksperiencë të mëparshme si infermier, u vu në krye të skuadrës që do të merrej me të plagosurit.
Ai ishte arrestuar në janar ‘97 si grup i parë i UCK, dhe pas disa burgjeve në Kosovë e Serbi, më 29 prill e nisën drejt Dubravës.
Pasi u shpëtoi breshërive, u strehua tek godina e ambulancës, ku filluan të vinin të plagosurit. Në fund të datës 23 maj, ishin 109 të plagosur të palëvizshëm.
“Kam parë njërin që i ishte çarë shpina e i kanë dalë organet mbrapa, një tjetri i është këput femuri i ka dalë këmba jashtë. kam pas një person, kur i kam fut dorën përfundi poshtë kokës për ta cu me e ndihmu kur kam hek dorën më kanë mbetur trutë e tij, ka qenë shumë e vështirë sepse një ditë më herët i kisha njoh ata dy djem dhe kërkonin ndihmë të mos i lenim vetëm”, u shpreh Bislim Zogaj, i mbijetuari i masakrës së Dubravës.
Mes qindrave rasteve që ai përmend edhe si një formë përkujtimi ndaj atyre që përjetuan këtë masakër, një moment dramatik ishte momenti i humbjes së shokut të tij të studimeve.