Një mosmarrëveshje midis fqinjëve u kthye në tragjedi pasi njëri prej tyre nxori armën dhe qëlloi për vdekje tjetrin, pas mosmarrëveshjeve për një rubinet uji të përbashkët.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë dy çifte në Escazú, të Kosta Rikës, që debatojnë ashpër. Video tregon çiftet duke i bërtitur nga larg njëri-tjetrit, përpara se konfrontimi të kalojë në oborrin e përparmë të banesave të tyre.
Një nga fqinjët, Otoniel Orozco Mendoza, e përshkallëzon sherrin nga verbal në fizik, duke goditur me grushta fqinjin e tij, Eduardo Ramírez Zamora.
Për hakmarrje, Zamora nxori armën dhe hapi zjarr ndaj Mendozës, duke qëlluar të paktën nëntë herë nga afër dhe duke e vrarë atë në çast.
Gruaja e viktimës shihet duke bërtitur dhe duke vrapuar, ndërsa gruaja e vrasësit u përpoq ta tërhiqte atë për të ndaluar burrin e saj që të vazhdonte të gjuante me armë.
Zamora u arrestua pas incidentit dhe do të kalojë tre muaj në paraburgim.
Familjarët e të ndjerit deklaruan për mediat e Kosta Rikës se prej kohësh kishte konflikte mes Zamorës dhe Mendozës.
“Para se ky njeri të kryente atë mizori, motra ime e kishte raportuar tashmë atë në shumë raste dhe autoritetet nuk bënë kurrë asgjë,” tha Dayli Avendaño, kunata e të ndjerit, për median CR Hoy. Ajo pretendon se ai madje ngacmonte fëmijët e fqinjit.
Nga ana tjetër, babai i Zamorës tha se përleshjet mes këtyre dy fqinjëve kanë nisur muaj më parë dhe tha se konflikti ka nisur për shkak të rinovimeve në shtëpinë e Mendozës dhe se ditën e ngjarjes Mendoza ka sulmuar gruan e Zamorës. Zamora tha se ai veproi në vetëmbrojtje.
Mendoza, 53 vjeç, ishte një biznesmen me origjinë nga Nikaragua dhe punonte në sigurimin privat. Ai la pas gruan, vajzën dhe djalin.
/a.r