Nga Artur Ajazi
Një klasë politike, që mohon luftën e popullit, mbetet antikombëtare. Një politikan, apo një parti politike që denigron luftën e popullit, mbeten antikombëtarë. Mohimi, denigrimi, baltosja, dhe tendenca për të fshirë nga memoraja popullore e Luftës Nacional çlirimtare, e asaj periudhe të lavdishme që na rradhiti dinjitozë në krah të boshtit antifashist botëror, mbetet proces i rrezikshëm, i një partie që qysh në ditën e krijimit ka mohuar sakrificat e heronjve dhe dëshmorëve.
Eshtë e vetmja parti, e drejtuar nga ish-komunistë, ish-bij të atyre që kanë qenë komunistë dhe funksionarë të sistemit komunist, madje brënda saj nuk mungojnë edhe bij dhe nipër të ish-agjentëve të Sigurimit të Shtetit.Havel thoshte se “nuk ka komunistë më të rrezzikshëm, se antikomunistët”. Në Shqipëri nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur në proceset demokratike, u futën “si pyka” elementët më fanatikë të sistemit komunist, dhe drejtuan partinë e vlerave studentore, duke baltosur ëndërrat dhe protestat e tyre në 1990.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur në Partinë Demokratike, u katapultua pa asnjë arsye, ish-komunisti më fanatik që kishte regjimi i asaj kohe, dhe që porsa mori pushtetin guxoi të bënte pis, çdo arritje, çdo vlerë njerëzore, madje të groposte luftën dhe historinë e Shqipërisë. Ai, dhe ata që e pasonin, ishin dhe kanë mbetur antikombëtarë.
Dhunuan, shkatërruan, dhe fshinë nga faqja e dheut, gjithçka që e lidhte këtë vend dhe këtë popull, me Luftën Nacional-Çlirimatare , si epopeja më e lavdishme e Luftës Dytë Botërore. Ajo luftë çlirimtare, na rradhiti dinjitozë ne shqiptarëve, në Boshtin Antifashist Botëror, ku bënin pjesë SHBA, Anglia, BRSS, Franca, etj..Lufta Nacional-Çlirimtare, shpëtoi vendin nga një ndarje e dytë pas asaj të 1913, dhe kjo ishte arritja më e madhe e një populli që u ngrit kundër pushtimit dhe nazifashizmit. Por kjo vlerë e madhe, ish-agjenturave që mbërthyen Partinë Demokratike, nuk u interesonte.
Ata donin me çdo kusht të fshinin nga muzetë, memorja popullore, nga librat dhe leteratura shkollore dhe shkencore, gjithë sakrificat e popullit në Luftën e Dytë Botërore. Ata kanë mbetur antikombëtarë, vasalë dhe peng i agjenturave që i shërbyen si para 1990 , ashtu edhe pas 1990. Ishin dhe janë po ata, që ndihmuan Milosheviçin sa ishin në pushtet, ishin dhe janë po ata që janë gati sot të bëjnë “pakt” edhe me djallin, vetëm të baltosin historinë e Shqipërisë.
Ngrihen dhe flasin në Parlament, deputetë të Partisë Demokratike apo Rithemelimit, që kanë qenë pionierë të Enver Hoxhës dhe PPSH, dhe kanë patur në familje ish-komunistë dhe ish-agjentë të Sigurimit të Shtetit. Ngrihen ata, dhe hedhin tymuese dhe baltë mbi Luftën Nacional-Çlirimtare, mbi heronjtë dhe dëshmorët, mbi ata që nuk kursyen jetën për lirinë dhe demokracinë, si ëndërra e tyre rinore.
Kanë mbetur antikombëtarë, ndaj dhe nuk marrin, dhe nuk vijnë më në pushtet. kanë mbetur antishqipëtarë, ndaj dhe do të mbeten atje, në cep të sallës së Parlamentit, edhe për 2 dekada e ca, derisa të shpërbëhen si forcë politike, dhe të kthehen nga kanë ardhur.