Nga Frrok Çupi
Tani po duket sa shumë shqiptarë paskemi nëpër botë!… Takimi i shtetit me shqiptarët në Athinë, në Milano, pastaj në Londër e në Gjermani, sikur i hapi qiejt dhe i lidhi njerëzit me shtetin. Duket se për herë të parë zbuluan njëri tjetrin- shteti dhe individi. Kishte humbur realiteti. Vetëm në 30 vjet, jo me shekuj. Ka shkuar koha si uji i detit që atëherë kur dikush, një i huaj, thërriste në brigjet tona të Jonit, si të ishte ‘askund’.
“Do ta kërkojmë Vlorën admiral, do ta kërkojmë si çifuti në shkretëtirë!’. Ajo ishte kohë e pakuptueshme, siç edhe admiralët e përdornin fjalën ‘çifut’ si pa gajle pse fyenin kombin hebre, apo kombin shqiptar. Fraza e egër ‘si çifutët në shkretëtirë’, mori trajtë shqiptare. Në gjithë botën u shpërndanë shqiptarë, por pa një lidhje me atdheun e tyre. Mjerimi i lidhjes ishte një mjerim më i madh se i bukës dhe i strehës. Çfarë ndodhi me atdheun e njerëzve pa lidhje dhe me njerëzit ‘pa atdhe’?
U tjetërsuan!
Njeriu shqiptar atje, përderisa ndihej i vetmuar, bëri atë që nuk kishte bërë kurrë më parë. Është e vërtetë se në Greqi ia qethën mjekrën priftit. Edhe pronarin e qëlluan me grushte sepse nuk ua dha pagën për punën e bërë. Ashtu siç e vërtetë është se sot mijëra shqiptarë të gjallë, në fakt nuk ekzistojnë si të gjallë veçse si hije. Ata ecin rrugëve, venë në shtëpi, lindin fëmijë, këndojnë në dasma…, por nuk ekzistojnë. Nuk ka regjistra për shqiptarët, sepse shqiptarët nuk i kanë emrat. As numra nuk janë, siç ka ndodhur në aktet më tragjike të njerëzimit, ku të paktën njeriu ishte numër. As pension nuk do të kenë. Vetëm në pllakën e varrit do të lejohet të shkruhet emri i tyre i vërtetë. Ku ishim ne teksa ndodhte tragjedia e shqiptarëve? Ku ishte shteti shqiptar, domethënë?… Atdheu për ta do të ishte si babai. Asnjë zë e asnjë lajm nuk dëgjohej nga kufijtë e brendshëm; madje as kur vinin në kufi autobusët e ‘Fshesës”, makina të zeza me rrjeta metalike në dritare. Atëherë të gjithë sportelet shqiptare mbyllnin dritaret, sikur nuk kishte njeri të gjallë.
E jomë të kishte një telefon ku të shprehej çfarë po ndodhte!? E jomë të kishte një qeveri që u dilte për zot! Njerëzit e larguar nisën ta shpikin ‘shtetin’ e tyre, njësoj si ‘çifutët’. Shpikën shtetin si forcë. Ata nuk kishin aq forcë sa ka shteti më i dobët, natyrisht, por bënë ‘të fortin’ në vend të huaj. Vonë, deri në vitet e fundit, të huajt vendas ankoheshin për shqiptarët: ‘Bëjnë zhurmë!,- thoshin,- në stacione treni, në metro, në sheshe, në merkato… Të tjerët ankoheshin deri për vrasje. Ishin të vërteta. Njeriu pa shtet dhe pa atdhe bëhet i egër kudo që të ndodhet. Pastaj shpikën ‘superfuqinë’, jo atje ku ishte, por superfuqinë brenda vetes. Flisnin për Amerikën, për presidentët e shteteve të mëdhenj, për mbretërit, për Papën. Dikujt i shkonte sensi i aventurës deri sa të shpikte një realitet pa ekzistencë sikur ‘jam fis me presidentin e Amerikës’. Tingëllima e përbashkët e emrave në botë u përdor si një ‘kërcënim’ kundër afendikoit ose kundër keqtrajtimit në vend të huaj. Presidentët Bush dhe Trump u tha se ishin shqiptarë e ‘do t’ua rregullojnë qejfin’ atyre që ‘na trajtojnë si kafshë’. Vetëm te lidhjet me shtetin e tyre shqiptar nuk u mbërrinte ‘aventura’. Këtej nuk dëgjohej as zë, as lajm…, as edhe një zile telefoni. ‘Kaq e padurueshme ishte bërë situata në ahurin tonë, saqë disa morën iniciativën e mbajtjes së një lloj mbledhjeje të përgjithshme’, shkruan shkrimtari Gazmend Kapllani. Shkrimtari vetë ndodhej në atë ahur refugjatësh shqiptar në vitin 1992, diku në zonën e Igumenicës. Pastaj shkrimtari tregon se si dikush përmendi Bashkimin Evropian. Duartrokitje nga të tjerët. (Kërkohej shteti, atdheu, në fakt). Në fund, shkruan shkrimtari- nga refugjatët u mor vendimi që t’i shkruanin një letër OKB-së. Aty ndodhej shpresa, se sapo OKB do të merrte në dorë letrën e djemve shqiptarë refugjatë në një haur afër Igumenicës… ‘Ranë të gjithë dakord. Por doli një problem, shkruan shkrimtari,- problemi se kishin vetëm stilolaps, por jo letër. Pastaj edhe një problem i madh: Se nuk dinin adresën e OKB ku do të drejtohej letra… Pastaj problemi i fundit, se nuk dihej ku ndodhej posta e Filjatesit.
Edhe sikur ta dinin postën, kush do t’i linte të shkonin deri atje?! Edhe sikur vetë OKB-në, që nuk do ta kishin kurrë, ajo çfarë u duhej sa vetë jeta, ishte shteti i tyre, atdheu. Si shqiptarët nëpër shkretëtirë. Atdheu ishte, por nuk ishte. As edhe një zë. Nisën ta harrojnë dalëngadalë emrin e shtetit të tyre…