Kompania Wizz Air ka reaguar për anulimin e fluturimit nga Tirana në Barcelonë.
Përmes një njoftimi për shtyp, kompania në fjalë shprehet se fluturimi i 24 majit duhet të riplanifikohej.
Reagimi:
Fluturimi i Wizz Air W45153 nga Tirana në Barcelonë më 24 maj 2024, për fat të keq, duhej të riplanifikohej për ditën tjetër për shkak të mirëmbajtjes së paplanifikuar dhe kufizimeve të kohës së detyrës së ekuipazhit. Ne e kuptojmë shqetësimin që vonesat dhe anulimet e fluturimeve mund t’u shkaktojnë pasagjerëve tanë dhe kërkojmë ndjesë për çdo ndërhyrje në planet e tyre. Pasagjerët e prekur u njoftuan për fluturimin e ri të caktuar për to dhe u pajisën me opsione alternative fluturimi. Kompania gjithashtu u sigurua të ofronte ushqime si dhe akomodim në hotel.
Siguria është prioriteti ynë më i madh dhe ne marrim të gjitha masat e nevojshme për të siguruar fluturime të sigurta. Është e rëndësishme të theksohet se Wizz Air u rendit ndër tre linjat ajrore më të mira në Europë në vitin 2023 si për performancën kohore, po ashtu edhe për numrin e ulët të anulimeve në rrjetin tonë. Linja ajrore përmirëson vazhdimisht operacionet e saj: në Shqipëri performanca kohore e Wizz Air është tashmë 5 p.p më e lartë në 2024, krahasuar me 2023.