Një dosje e dytë kundër ish-kryeprokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” është rihapur në Prokurorinë e Posaçme SPAK.
Informacionet e siguruara nga gazetari i “Ora News” Elton Qyno, tregojnë një tablo të qartë se SPAK, ka marrë indicie të forta nga një prokurori rrethi, duke çuar në nisjen e hetimeve ndaj ish-shefit që drejtoi për 5 vite me radhë Prokurorinë e Përgjithshme.
Hetimet janë përqendruar në veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, gjatë periudhës kur Llalla ka mbajtur postin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Gazetari Qyno raporton se objekt i këtij hetimi janë disa raste vendimmarrje të ish-kryeprokurorit Llalla në shkarkimin e Oficerëve të Policisë Gjyqësore dhe transferimin në kundërshtim me ligjin të disa prokurorëve.
Rasti në fjalë ka marrë indicie pas një kallëzimi të paraqitur në prokurorinë e Tiranës, nga një oficer i policisë gjyqësore në Gjirokastër.
Ky oficer ka pretenduar në kallëzim se është shkarkuar në mënyrë të menjëhershme nga ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, vetëm për një koment të bërë në profilin “Facebook”, ku përmes tij kritikonte punën e ish-ministrit të Brendshëm në atë kohë, Saimir Tahiri, në luftën e padrejtë kundër asgjësimit të drogës.
Me urdhër të Llallës, oficeri pretendon se është shkarkuar në mënyrë të menjëhershme duke u përjashtuar nga organika e prokurorisë së Gjirokastrës, pa ndjekur një procedurë ligjore siç e kërkonte ligji i kohës.
Vendimin për shkarkim oficeri e ka ankimuar në gjykatë duke fituar të drejtën për rikthimin në punë dhe kompensimin financiar. Në kallëzim oficeri ka bashkangjitur dhe vendimin e gjykatës së Tiranës, që e rikthente në punë duke shfuqizuar urdhrin e shkarkimit të Adriatik Llallës.
Por në kuadër të hetimeve që janë kryer për këtë rast, prokuroria e Tiranës, ka marrë në trajtim verifikimi dhe disa praktika të tjera të shkarkimit të menjëhershëm të punonjësve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe transferimin në kundërshtim me ligjin të 6 prokurorëve të kësaj prokurorie në prokuroritë e rretheve.
Bëhet fjalë për nëpunës të administratës civile në Prokurorinë e Përgjithshme, të shkarkuar direkt me urdhër të Llallës dhe 6 prokurorët e transferuar po me urdhër të Llallës, janë Kasëm Berberi, Bilbil Mete, Bujar Sheshi, Hysen Keta, Kujtim Luli dhe Isa Jata.
Të gjitha transferimet janë kryer në kundërshtim me ligjin, duke larguar 6 prokurorët e vjetër nga Prokuroria e Përgjithshme në prokurorinë e Tiranës, Kavajës, Përmetit dhe Prokurorinë e Apelit për Krime të Rënda.
Urdhri për transferimin mësohet se është kundërshtuar në Gjykatën Administrative, duke sjellë shfuqizimin e tij dhe urdhëruar që 6 prokurorët të kthehen në detyrën e mëparshme, pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Të gjitha vendimet e gjykatave janë administruar nga prokuroria e Tiranës, e cila gjatë hetimeve të kryera ka konstatuar se gjatë ushtrimit të detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka shkelur normativat ligjore duke marrë vendime të gabuara për transferimin në mënyrë të padrejtë të 6 prokurorëve, shkarkimin pa të drejtë të oficerit të policisë gjyqësore në Gjirokastër dhe shkarkimin pa të drejtë të disa prej punonjësve të administratës civile në Prokurorinë e Përgjithshme.
“…paligjshmëria e kryeprokurorit Llalla, është konstatuar dhe nga disa vendime gjykatash në vend…”-thuhet në dosjen e prokurorisë.
Duke qenë se Llalla mbante funksionin e lartë shtetëror dhe vepra penale e “Shpërdorimit të detyrës” është kryer nga një zyrtar i lartë i shtetit, prokuroria e Tiranës ka vendosur të shpallë moskompetencën juridike të hetimit të kësaj dosje, duka ja kaluar çështjen për hetime të mëtejshme prokurorisë së posaçme SPAK.
Brenda një periudhe tre vjeçare tashmë kjo prokurori do regjistrojë një dosje të dytë për ish-kryeprokurorin Llalla, që lidhet me “Shpërdorimin e detyrës”.
Në muajin dhjetor 2021 “Ora News” raportoi se ish-kreu i Prokurorisë së Përgjithshme Adriatik Llalla, ka kërkuar azil politik në Romë pas dënimit në muajin Tetor 2021 me 2 vite burgim, për akuzën e “mosdeklarimit të pasurisë”.
Llalla u ndalua në Italia në datën 10 dhjetor 2021 dhe më pas u la i lirë, pas kërkesës për statusin e azilantit. Aktualisht Adriatik Llalla, qëndron i lirë në këtë shtet duke fituar dhe lejen e qëndrimit të përhershëm në Itali./ora
Duhen denuar perjete keta plehrat e drejtesise si ky i djwshmi edhe keta te sotmit..