Histori me emocione të forta, lot dhe rrëfime të ndjera u përjetuan e treguan mbrëmë në “Ferma VIP”.
Malli për nënën, vlerësimi i sakrificave të saj apo dhimbja e humbjes së një figure aq të rëndësishme ishin kryefjalë e spektaklit.
Ishte surpriza e Çiljetës, e cila takoi të ëmën, që “zgjoi një lumë emocionesh” tek të gjitha, të cilat u transmetuan tek publiku drejtpërdrejt në dy kanalet e dedikuara të Tring.
Ndër të tjera, drithërues ishte dhe reagimi i moderatores, Fjoralba Ponari, e cila duhej të superonte emocionet në një moment të vështirë për të.
Moderatorja, e cila ka humbur të ëmën para disa kohësh, ndau mes lotësh një ‘copëz’ të kujtimeve që e mbajnë të lidhur fortë me të ëmën e ndjerë.
“Ja ku po e them për herë të parë sonte. Një nga gjërat që mamaja ime krenohej tek të afërmit e saj, tek koleget e saj, ka qenë pikërisht imazhi që unë kam ngritur në publik. Edhe pse hera-herës më mungon dëshira për t’u zgjuar e jo për të ardhur për të bërë emisionin, e kam gjithmonë në mendje..”, tha ajo.
Rrëfimi i saj i ndjerë dhe emocionues u duartrokit fort nga publiku në studio, në formë mbështetjeje, teksa i njëjti suport ‘vërshoi’ edhe virtualisht.
Komentuesit shprehën mbështetjen ndaj moderatores, teksa shumë prej tyre shprehen se rrëfimi dhe lotët e saj iu transmetuan një emocion të madh, që shërbeu për të vlerësuar edhe njëherë figurën dhe vlerat e nënës për këdo.