Pesë prej personave të arrestuar nga megaoperacioni i SPAK që goditi 7 grupe kriminale, dolën sot për vlerësimin e masës së sigurisë para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Raportohet se para gjykatës dolën Emiljano Shullazi, Besjan Xhixha, Enver Diva, Gjergj Cukali dhe Albert Zaja.
GJKKO konfirmoi masën e sigurisë arrest në burg për 4 prej të akuzuarve, ndërsa për Emiljano Shullazin do të shqyrtohet në orën 14:00 kur dhe do të merret në pyetje.
Ndërkohë, ata ishin në paraburgim edhe para lëshimit të urdhër-arresteve të rinj, pasi janë nën hetim apo gjykim për krime të tjera të mëparshme.
Këta persona u zbuluan se kishin komunikime në aplikacionet e koduara me personazhe të tjerë të njohur të botës së krimit, edhe pse ishin në qeli.
SPAK i akuzon ata se janë të përfshirë në ngjarje kriminale përgjatë vitit 2020 në bashkëpunim me personazhe të tjerë, për organizime atentatesh.
/a.r