Ish-zv.kryeministri Bashkim Kopliku, thotë se Aleksandër Meksi nuk do ta besonte kurrë komplotin për ta vrarë më 1992, siç pretendon Izet Haxhia, truproja i presidentit Sali Berisha në atë kohë.
Haxhia ka rrëfyer se Berisha donte ta eliminonte Meksin dhe për këtë organizoi heqjen e energjisë elektrike në aeroport, teksa avioni i kryeministrit ktheheje nga Itali. Sipas Haxhiajt, Kopliku ishte i përfshirë.
Nga Gjermania, Kopliku i kontaktuar nga Panorama sqaron mënyrën e zgjedhjes së Meksit në postin e Kryeministrit dhe marrëdhëniet e tij me këtë të fundit. Lidhur me pretendimet për eliminimin fizik të Meksit, ai thotë se është një trillim, ndaj edhe do të ishte e trishtueshme nëse vetë Meksi do ta merrte për të mirëqenë.
Sipas tij, “Meksi ka thënë vetëm se ngjarja si vështirësi uljeje e aeroplanit ka ndodhur. Por deri tani, ai nuk ka thënë se dikush ka dashur që atë dhe gjithë personat në aeroplan t’i vrasë. Do të ishte shumë e trishtueshme nëse ai do të besonte që një gjë të tillë të kem dashur ta bëj unë. Pra që ministri i Rendit Publik, Bashkim Kopliku të ketë dashur ta vrasë. Edhe sikur këtë ta thoshte një njeri shumë herë më i besueshëm se z. Izet Haxhia, Meksi kurrën e kurrës nuk duhet ta besonte…”