Vendet e Quintit dhe Bashkimi Europian kritikojnë Kosovën për refuzimin e kërkesës për vizitë të kreut të Kishës Ortodokse Serbe, patriarkut Porfirije, dhe të disa priftërinjve të tjerë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës tha se nuk do të lejonte vizita të tilla për sa kohë që “Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit, nuk lejon vizitat e zyrtarëve shtetërorë në Serbi dhe për më tepër vijon fushatën kundër Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Por, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaroi se është Kosova që ka shkelur Marrëveshjen për vizita zyrtare, të arritur në dialogun për normalizimin e raporteve, pasi sipas tij, vizita e Porfirijes ishte njoftuar tek autoritetet në Prishtinë.
“Duke ia refuzuar hyrjen atij, Qeveria e Kosovës jo vetëm që eka shkelur Marrëveshjen e vitit 2014 për vizita zyrtare, por në mënyrë të ashpër e ka injoruar edhe rëndësinë që ka Kisha Ortodokse Serbe për një pjesë të qytetarëve të Kosovës dhe kjo shkon kundër parimeve themelore të një shoqërie shumetnike, tolerante dhe demokratike.”
Ndërkaq, përmes një deklarate të përbashkët, ambasadat e shteteve të QUINT-it – Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shteteve e Bashkuara – dhe Zyra e BE-së në Kosovë shprehën shqetësim për refuzimin e vizitës së Porfirijes.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës është në kundërshtim me nenet e Planit të Ahtisaarit, ku përcaktohen qartë të drejtat, privilegjet dhe imuniteti për klerin e Kishës Ortodokse Serbe dhe po ashtu nuk është në përputhje me detyrimet e Kosovës që dalin nga dialogu i ndërmjetësuar nga BE”, thuhet në deklaratë.
Më tej, u kërkohet palëve të përmbahen nga ԭdo veprim dhe retorikë që mund të rrisë tensionet dhe që mund të çojë në incidente.
/a.r