Ka qenë viti 2014 kur Kuvendi i Shqipërisë ndryshoi ligjin sa i përket armëmbajtjes me leje ndërkohë që thelbi i ndryshimeve ishte edhe çarmatosja e zyrtarëve të lartë. I botuar ne Fletoren Zyrtare më 10 korrik 2014, ligji parashikonte që Deputetët, Zv.Ministrat, Prefektët dhe të tjerë zyrtarë duhet t’i dorëzonin armët brenda 14 ditëve.
E drejta e mbajtjes së një arme për kategoritë e sipër përmendura, parashikohet vetëm në rastet kur zyrtarët paraqesin kërkesën dhe vërtetojnë se janë të rrezikuar me jetë në mënyrë që t’i jepet e drejta për të mbajtur armë zjarri.
Sipas nenit 30 të ligjit për armët, i cili parashikon autorizimin e posaçëm për armë, thuhet se personat që për shkak të funksionit shtetërorë që kanë, mund të mbajnë armë por vetëm nëse janë të ekspozuar ndaj rrezikut dhe ky rrezik do të përcaktohet me një vendim të Këshillit të Ministrave i cili do të miratohet në një kohë të mëvonshme.
“Autorizimi i posaçëm për mbajtje arme: 1. Kanë të drejtë të pajisen me autorizim të posaçëm për mbajtje arme personat fizikë që, për shkak të aktivitetit shtetëror ose të rrethanave personale të veçanta, janë të ekspozuar ndaj rrezikut për jetën dhe u njihet e drejta e mbrojtjes së veçantë sipas legjislacionit në fuqi; 2. Procedurat për vlerësimin e kërcënimit të rrezikut për jetën përcaktohen me vendim Këshillit të Ministrave”,-parashikon ligji.
Në ligjin e vjetër ishte parashikuar që punonjësit e Bankës së Shqipërisë, kryetarët e njësive vendore, anëtarët e Gjykatës së Lartë, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, deputetët, prefektët, zëvendësministrat, ministrat etj kishin të drejtë që të posedoni armë kryesish pistoleta. Ndryshimi i ligjit tani më parashikon që ata nuk mund të armatosen pa deklaruar rrezikun që ata kanë.
Në rastin e Gent Strazimirit, ky i fundit duhej që me kohë të deklaronte rrezikun që i kanosej dhe nevojën për mbajtjen e një pistolete 24 orë, sikurse e pranoi dhe vetë deputeti. Në të kundërt, përgjegjësia penale parashikon dënim të rëndë, së pari për faktin se përse nuk e ka dorëzuar 14 ditë nga hyrja në fuqi të ligjit dhe së dyti, Kodi Penal parashikon dënimin përkatës për armëmbajtje pa leje.
Në rastin konkret, Neni 698 i Kodit Penal shprehet se “kushdo që shkel urdhrin, të dhënë ligjërisht nga organet kompetente, për të dorëzuar në afatet e përcaktuara armët ose municionet e mbajtura prej tij, dënohet me burgim jo më të vogël se nëntë muaj ose me gjobë jo më të ulët se 123 euro”.
Ndërkohë, Neni 697 shprehet:
Kushdo që zotëron armë ose municione pa njoftuar organet kompetente, kur njoftimi kërkohet, dënohet me burgim deri në dymbëdhjetë muaj ose me gjobë deri ne 371 euro. Kushdo që mbasi ka marrë lajmin se në vendin ku banon ai ndodhen armë ose municione, nuk njofton organin kompetent, dënohet me burgim deri në dy muaj ose me gjobë deri ne 258 euro. (JAVAnews / r.a)