Në tavanin e autobusit, bagazhin e makinës, të futura në qese apo valixhe…. vitin e shkuar të paktën 73 shqiptarë e të huaj u përpoqën të fusin në vend euro, dollarë, paund e franga pa i deklaruar ato. Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se numri i rasteve të mos-deklarimit në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë gjatë 2023-shiu gati u dyfishua në raport me vitin 2022.
“Në gjykimin tim rastet e mos-deklarimit në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë lidhen sa me përpjekjet për të pastruar paratë, aq edhe me mungesën e mjaftueshme të ndërgjegjësimit. Kjo pasi institucionet punojnë me fushata, me hope”, tha Brikena Kasmi, ish-zëvendësministre e Drejtësisë.
Të dhënat nga “Doganat” tregojnë se pjesa më e madh e parave të hapura vitin e shkuar, ishin euro… mbi 2 milionë. Shifra rezulton gati dyfish më e lartë se në 2022-shin. Paundi, dollari dhe franga janë valuat e tjera me vlerat më të larta të kapura vitin e shkuar.
“Kjo pasi në Europë ka një përqendrim më të lartë të aktivitetit kriminal, i cili ushqen para nga burime të paidentifikuara. Rrugët nga Britania e Madhe janë më të sofistikuara dhe më të lidhura me politikën ndaj kapen më pak paund”, tha Kasmi.
Nga jashtë dhe brenda vendi, në Shqipëri qarkulluan dhe u pastruan vitin e shkuar rreth 666 milionë euro të përftuara nga aktivitete të paligjshme. Pjesa më e madhe e këtyre parave, gati 480 milionë euro hynë nga vende si Britania e Madhe apo Dubai, ndërsa 186.5 milionë u gjeneruan nga aktiviteti kriminal në vend.
“Ndaj edhe kemi kaq shumë para jashtë bankave. Mbi 26 për qind e totalit të parasë në vend është informale”, shtoi ajo.
Të gjithë personat të cilët hyjnë ose largohen nga Shqipëria janë të detyruar të deklarojnë shumat në të holla, apo sendet me vlerë 10.000 euro apo më shumë.
/a.r