Në Beograd vazhdojnë ankesat ndaj autoriteteve të Prishtinës të cilat kanë ndaluar hyrjen e kamionëve nga Serbia që transportojnë materiale të rrezikshme – naftë e gaz – në Kosovë.
Kosova e ka vendosur këtë ndalim si masë reciprociteti ndaj Serbisë. Nga ana tjetër, siç njofton Rts , Beogradi thotë se Prishtina kështu “po shkel marrëveshjen e CEFTA-s dhe se lidhur me këtë është në kontakt të vazhdueshëm me Brukselin”.
“Praktika e marrjes së vendimeve të këqija po vazhdon pa dijen e ministrave serbë. Për fat të keq ky është reagim ndaj presionit të disa partive ekstremiste opozitare të cilave iu pengon gjithë ajo që është serbe e Qeveria në Prishtinë iu del përballë për të shpëtuar nga pakënaqësia”, thotë nënkryetari i Qeverisë së Kosovës Branimir Stojanoviç, transmeton Koha.net, dhe shton se “vendimi i Qeverisë së Kosovës nuk është në shërbim të normalizimit të marrëdhënieve Beograd – Prishtinë” duke konstatuar se “ gjithmonë shkojmë një hap para e dy pas”.
“Serbët në Kosovë dhe Beogradi presin zgjidhjen e shpejtë të këtij problemi dhe Prishtina nuk mund të sillet sikur të mos ekzistojë as CEFTA e as ndonjë marrëveshje”, thotë ai.
“Presim që edhe garantuesi i marrëveshjeve të Brukselit, Bashkimi Evropian, të reagojë e t’ia tërheqë vërejtjen Prishtinës se nuk mund të sillet ashtu”.
Sipas disa përllogaritjeve, vjet nga Serbia në Kosovë kuota e naftës dhe e gazit ka qenë 8 milionë euro. Kosova tash e gjashtë ditë nuk po lejon hyrjen e kamionëve nga Serbia që transportojnë naftë e gaz.