Policia belge përdori topat e ujit për të shpërndarë një turmë njerëzish të vetëdeklaruar si fashistë në sheshin qendror të Brukselit. Shumë njerëz ishin mbledhur në sheshin “Place de la Burse” për të bërë homazhe pranë një memoriali të përkohshëm për viktimat e sulmeve terroriste të ditës së martë.
Pikërisht këtë situatë kanë shfrytëzuar qindra aktivistë të të djathtës ekstreme për të shfaqur pikëpamjet e tyre kundër sulmeve, por edhe kundër emigrantëve, një qëndrim i njohur i këtyre grupeve.
Policia belge ndërhyri për të rivendosur rendin në qendrën e Brukselit, i cili ende nuk ka marrë veten nga sulmet terroristë.
Mësohet se fashistët e vetëdeklaruar u përballën me femrat myslimane mes njerëzve që kishin ardhur për të bërë homazhe dhe gjithashtu hodhën slogane ksenofobe e bënë nderimin famëkeq nazist.
Më herët, një “marshim kundër frikës” i planifikuar për të dielën u anulua pasi autoritetet belge thanë se kjo do të sforconte policinë dhe do të privonte hetimin antiterror nga burime të vlefshme njerëzore.
Sipas analistëve, ndjenja antiemigracion apo ksenofobe që u shfaq në Bruksel është parë edhe në qytete të tjera europaine, ndërsa shtohen probleme nga kriza e emigrantëve dhe mbi të gjithë shtohen kërcënimi terrorist për kontinentin e vjetër. TCh