Kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump është gjobitur me 9 mijë dollarë dhe ka marrë një kërcënim për burgosje. Paralajmërimi për burgim është bërë për shpërfillje të urdhrave të Gjykatës nga ana e Donald Trump.
Në njoftimin për mediat, gjyqtari Juan Merchan tha se gjoba mund të mos jetë e mjaftueshme për të shërbyer si një pengesë për biznesmenin e pasur të kthyer në politikan, por tha se nuk kishte autoritetin për të vendosur një dënim më të lartë: “I pandehuri paralajmërohet se Gjykata nuk do të tolerojë më shkelje të qëllimshme të urdhrave të saj të ligjshëm dhe se nëse është e nevojshme dhe e përshtatshme sipas rrethanave, ajo do të miratojë edhe dënimin me burg”.
Gjykatësi e gjobiti Trumpin me 1 mijë dollarë për secilën nga nëntë deklaratat që ky i fundit ka bërë në internet ndaj dëshmitarëve në gjyqin e tij. Prokurorët deklarojnë se janë 10 postime të Trump të cilat konsiderohen shkelje. Postimet e Trump përfshinin etiketime për ish-avokatin e Trump, Michael Cohen si “gangster”. Cohen pritet të jetë dëshmitar në gjyqin kundër Trump.
Trump nuk ka reaguar në lidhje me akuzat, por ka argumentuar se urdhri i gjykatësit shkel të drejtat e tij të lirisë së fjalës: “Ky është një mashtrim. Ky është një gjyqtar konfliktual. Keq, shumë keq. Nuk kam parë kurrë një gjyqtar kaq të konfliktuar, i cili na jep këtë vendim. E gjithë kjo është një mashtrim. Të gjitha janë mashtrime, përfshirë edhe çështjet civile. Ata kontrollohen nga Shtëpia e Bardhë, që kontrollohen nga gjyqtarë dhe prokurorë demokratë që u vendosën aty në mënyrë specifike”.
Burgimi i Trump do të ishte një kthesë e paprecedentë në gjyqin e parë penal të një ish-presidenti amerikan. Është e paqartë nëse Trump do të dërgohej në burgun e qytetit të Nju Jorkut ose nëse shqetësimet për sigurinë do të kërkonin trajtim më të butë, siç është mbyllja në shtëpi në Trump Tower.
/a.r