Nga Artur Ajazi
Kur lindi fenomeni i padëgjuar më parë, siç ishte “babalizimi”, dukej sikur politika e mirëfilltë e një pjese të konsiderueshme, po merrte një drejtim të paditur. Dukej sikur kishte lindur diçka spontane, e padëgjuar, e cila bënte pis, gjithkënd që shihej si “armik politik”. Ky fenomen, ku kishte si “nënkomponentë, çimkizimin, skenare të trilluara dhe lista datash dhe emrash”, u shtri gjërësisht në partinë më kryesore të opozitës. E gjendur për një kohë të gjatë në opozitë, pa shpresa të dukshme për të fituar zgjedhjet, asaj force politike, i duhej patjetër shpikja e rradhës, “babalizimi” i cili duhej të shoqëronte aksionet dhe debatet opozitare. Në çdo diskutim në Parlament, “babalizimi” ishte kryefjala e opozitarëve ligjvënës.
Diskutonin ata me aq “zjarr” dhe mbronin me aq “zjarr” sajesat e tyre, sa fillimisht dukej sikur e kishin seriozisht. Por shumë shpejt “babalizimi” u bë tullumbace e shfryrë. Proceset gjyqësore që e pasuan, treguan se skenari ishte foshnjërak. Aq më tepër kur dilte nga dyert e një partie që ishte sprovuar në pushtet. Sërish “babalizimi” ka nisur “rifreshin” e saj, duke shpikur “dosje krimi, dosje korrupsioni”, me emra, farefis, miq dhe të njohur qeveritarësh, ministrash, deputetësh, dhe kryetarë bashkish. Mjafton të përgojosh dhe akuzosh, pa se çfarë mbetet pas, dhe se ç’do të ndodhë kur të vijë fletë-thirrja e gjykatës, ajo nuk ka rëndësi.
Por “babalizimi”, (si edhe në pragzgjedhjet e shkuara, ku humbja ishte fatale) sot është kauza e vetme e “fitores dhe ardhjes në pushtet” të një opozite të shkatërruar dhe ndarë në thela-thela. Askush nuk e mendonte që, partia e vetme “demokratike”, e cila dukej sikur përfaqësonte të djathtën në Shqipëri, që erdhi në pushtet fill pas rënies së komunizmit, të katandisej kaq keq, sa të shpikte fenomene absurde, për ti kthyer në kauza beteje zgjedhore. Edhe pse kanë humbur dhjetra procese të stisura gjyqësore, edhe pse janë dënuar me gjoba dhe diskreditime publike, nuk heqin dorë nga “babalizimi”. Aq të ethshëm janë pas “babalizimit”, sa që nuk gdhihen dhe ngrysen pa u marrë me jetën, familjen dhe punën e tjetrit.
Ky është febnomeni më negativ, që e ka lënë pas si trashëgimi ish-lideri, dhe po e pasojnë mrekullisht pasuesit e tij. Kjo natyrisht po e çon atë forcë politike, nga humbja në humbje, por pak ka rëndësi për ata. E vetmja rëndësi mbetet, zbatimi i skenarit të liderit të partisë, fjalimet kuturru, pa pikë lidhje, akuzat ndaj kujdo që shihet si “pengesë në rrugëtimin drejt fitores”, dhe kaq. Fenomeni i “babalizimit”, po e thërrmon përfundimisht Rithemelimin, dhe i ka krijuar shanse reale për një qëndrim të gjatë edhe pas 2025 në opozitë.
Me premtimin pas çdo fjalimi, “nesër avazi, nesër”, fillimisht dukej sikur shqiptarët do të dëgjonin ndonjë “të padëgjuar”, nga sheikët e Rithemelimit. Por tanimë kur gjithçka u qartësua, daljet e tyre në Parlament, para kryeministrisë, para bashkisë, apo dhe në ekrane televizioni, janë thjesht zbavitja e rradhës për shqiptarët.