Nga Konventa e Partisë së Lirisë, Ilir Meta iu rikthye sulmeve ndaj ambasadave në vendin tonë. Ai deklaroi për herë të parë se ish-ambasadorin e Italisë, Alberto Cutillo, do ta shpallte non-grata. Por sipas ish-presidentit, nuk e bëri për hatër të marrëdhënieve Shqipëri-Itali.
“Ku është parë të dali ambasadori dhe të diskutojë dekretin e presidentit, siç bëri ai Cutillo? Ambasadorin e Italisë kisha vendosur ta shpallja non-grata. Le të guxojë ndonjë ambasador të diskutojë dekretet e Bajram Begajt dhe unë i pari do mbledh gjithë Shqipërinë e do t’i dal para ambasadës. Sepse Presidenti i përket Republikës” – tha Ilir Meta.
Por çfarë ka ndodhur? Në vitin 2020, Alberto Cutillo kërkoi që t’i merrej mendimi Komisionit të Venecias për ngërçin që u krijua në Gjykatën Kushtetuese, shkruan javanews. Kjo pasi Meta dekretoi Marsida Xhaferllarin si anëtare të GJK në vendin që ishte zënë nga Arta Vorpsi para përfundimit të afatit 30 ditor të presidentit për t’u shprehur mbi listën e propozuar nga KED.
Cutillo tha për mediet në atë kohë se Kuvendi dhe Presidenca duhet t’i kërkonin mendim Komisionit të Venecias në lidhje me këtë çështje.
Ky reagim edhe në 2020 e detyroi Metën të lëshojë akuza të forta, por sot është hera e parë që deklaron emrin e ambasadorit që shigjetoi para 4 vitesh.
javanews.al /a.r