Nga Mark Pashku
Të mërkurën (24 prill), Eduard Zaloshnja publikoi sondazhin e muajit prill për prirjen e votës së shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare 2025. Një vit përpara aktit final, shifrat janë shumë domethënëse, veçanërisht për opozitën, e cila tashmë ka një tablo të qartë se çfarë duhet të bëjë për të realizuar rrotacionin politik.
Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot, për PS do të votonin 34,8% të shqiptarëve këtu, PD e Berishës 20,3%, PD e Bashës 3,3%, Partia e Lirisë 2,5% dhe për partitë e tjera (së bashku) 6,0%. Detaji i trishtë është se 33.3% e shqiptarëve janë shprehur se refuzojnë të votojnë. Pra, 1/3 e shqiptarë po e thonë pastër: “Nuk duam asnjërin! Jemi kundër qeverisë, por jemi gjithashtu kundër opozitës!”
Duke qenë se shqiptarët historikisht kanë votuar individin dhe jo programin apo ekipin e një subjekti politik, në këtë sondazh reflektohet qartë se populli refuzon çdo emër aktual, që sot është në rol drejtues. Për ta thjeshtëzuar edhe më shumë, përgjigjja e shqiptarëve është: “Duam ta heqim Ramën, por nuk kemi me kë ta zëvendësojmë”.
33,3% e shqiptarëve, të cilët aktualisht refuzojnë të votojnë, i bëjnë nder vetëm qeverisë, sepse sondazhet pa pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje tregojnë se Rama rritet nga 34,8% në 52,1%, që do të thotë se ai sërish mund ta formojë qeverinë krejt i vetëm. Ky pezmatim i shoqërisë, pa motivim për të votuar, është dhurata më e madhe që përfiton Rama pas 3 mandatesh në pushtet.
Në një pyetje tjetër të sondazhit të Zaloshnjës, rezulton se mendimi negativ për qeverinë sot është në nivelin 61%, kurse për opozitën është 76%. Kjo tregon se, edhe pas 11 vitesh në pushtet, Rama nuk është konsumuar aq sa dy drejtuesit aktualë të opozitës parlamentare, Berisha dhe Basha. Fabula nuk do analizë të stërholluar: populli kërkon rrotacion, por pa dyshen Berisha-Basha. Konflikti i kësaj dysheje jo vetëm që ka përçarë dhe dërrmuar opozitën, por ka sjellë një dëm të madh në demokracinë shqiptare, sepse 33% e shqiptarëve sot refuzojnë të votojnë.
Skenari i vetëm për rrotacionin politik
Pavarësisht situatës aktuale, ende ka hapësira dhe mënyra për të arritur te rrotacioni politik. Realizimi i këtij objektivi për opozitën shqiptare mund të arrihet me një skenar prej tri hapash:
- Sistem i ri zgjedhor (proporcional kombëtar) me koalicione parazgjedhore
Në zgjedhjet 2021, Partia Socialiste mori gjithsej 768 mijë vota në rang kombëtar, kurse opozita (PD + LSI) mori gjithsej 729 mijë vota në rang kombëtar. Pra, diferenca e Ramës me opozitën asokohe ishte vetëm 39 mijë vota. Pse Rama fitoi 74 mandate? E thjeshtë: PS u favorizua prej sistemit me 12 zona zgjedhore e pa koalicione parazgjedhore, i cili maksimizon peshën e votave të partisë më të madhe në nivel qarku dhe dërrmon partitë e vogla. Nëse PD e Berishës ngulmon për ndryshimin e sistemit zgjedhor, do të jepte sinjalin më të qartë se synimi i saj është rrotacioni politik dhe jo ruajtja e rreth 40 karrigeve në parlament. Të gjithë janë të vetëdijshëm se, me sistem proporcional kombëtar (Shqipëria 1 zonë), diferenca ndërmjet dy palëve është thuajse zero, sidomos sot, pas 11 vitesh konsumim të partisë në pushtet. Me kuotat e deritanishme, sondazhi i Zaloshnjës tregon se Rama me sistemin aktual merr 82 mandate, kurse me sistem proporcional kombëtar merr 73 mandate. Më troç se kaq, nuk ka: sistemi i ri sjell garë!
- Modeli “Benet Beci” në Shkodër
Edi Rama zgjodhi një strategji të përkryer në zgjedhjet lokale të Shkodrës në vitin e kaluar. Kandidati i tij si përfaqësues i Partisë Socialiste qe Benet Beci, një demokrat i kthyer në socialist. Beci ishte kandidati ideal, sepse u prezantua si një personazh neutral, as majtas, as djathtas. Ai ishte një kandidat i gjithëpranuar nga një shumicë e madhe e qytetarëve shkodranë dhe zhvilloi një fushatë specifike, krejtësisht individuale, pa ngjyrat dhe sloganet partiake. Ndryshe nga çdo kandidat tjetër, Beci përdori ngjyra të tjera në fushatë. Ai ndryshoi edhe sloganin, duke u përpjekur ta personalizojë gjithçka tek emri i tij dhe jo te Partia Socialiste. Kjo u reflektua në votë. Suksesi i tij nuk ishte i rastësishëm. Ishte një sukses i arritur me strategji të mirëmenduar. Populli u ftua për ta votuar si një individ pozitiv dhe me integritet, pra jo detyrimisht si një kandidat partiak. Qytetarët zgjodhën frymën që Beci përfaqësonte, dëshirën për ndryshimin e gjërave dhe mirësinë që ai rrezatonte në publik. Këto elemente i mungojnë opozitës sot, e cila përqendrohet vetëm te negativizmi, përplasjet dhe të bërtiturat, duke mos reflektuar se qytetarët kërkojnë një alternativë të besueshme dhe shpresëdhënëse, përtej partisë.
Opozita duhet të ndjekë modelin “Benet Beci” në zgjedhjet 2025. Berisha dhe Basha sot nuk arrijnë dot në kuotën e 750-700 mijë votave, të nevojshme për të mposhtur Ramën. Lufta e tyre dhe ndarja në dy kampe e opozitës ka bërë që votat e djathta të bien. Bashkimi i opozitës mund të arrihet vetëm me një kandidat të përbashkët për kryeministër, duke mënjanuar “mëkatarët” Berisha dhe Basha. Ky kandidat përbashkues duhet të jetë si Benet Beci: i gjithëpranuar nga një shumicë e madhe jo vetëm e kampit opozitar, por e gjithë shoqërisë shqiptare; të zhvillojë një fushatë me frymë pozitiviste, duke rrezatuar shpresë dhe duke mos u fokusuar detyrimisht te ngjyrat dhe logoja e Partisë Demokratike, por te një bashkim qytetar për rrotacionin politik. Kandidati i përbashkët mund të jetë edhe një figurë jashtë politikës, me kusht që të ketë ndikim të madh dhe reputacion të lartë në shoqëri. Në vitin 2025, shqiptarët nuk do të bashkohen nga një parti, por nga vullneti për përmbysjen e qeverisë. Emri, partia, logoja apo programi nuk do të kenë vlerë aq sa shpresa se “rrotacioni po ndodh”. Mjafton që kandidati për kryeministër të jetë i pacenueshëm, i papërlyer në historikun e politikës dhe thuajse neutral në qëndrimet e tij të viteve të fundit. Diferenca në zgjedhje do të jetë e thjeshtë: Rama vjedh, kandidati ynë është i pastër.
- Koalicion me partitë e reja
Sipas Zaloshnjës, Partia Socialiste sot është në kuotën më të ulët qysh prej vitit 2009, me më pak se 700 mijë votues në rang kombëtar. Kjo tregon se konsumimi i qeverisë është fakt dhe se pakënaqësia popullore po reflektohet në shifra. Kandidati i përbashkët për kryeministër i opozitës mund të ruajë votat opozitare të vitit 2021 (rreth 722 mijë), por kjo shifër mund të mos mjaftojë për përmbysjen. Për këtë arsye, opozita parlamentare duhet të bëjë një koalicion me partitë e reja, roli i të cilave është motivimi i njerëzve për të votuar. Nëse sot 3 në 10 shqiptarë refuzojnë të votojnë, partitë e reja mund të bindin shumë prej tyre për të besuar te politika e re, për të pasur interes për politikën dhe… për ta shkundur votën. Duke shtuar këtu edhe votën (e pritshme) të emigrantëve, partitë e reja mund të ndikojnë më shumë për tërheqjen e tyre, sepse ato kanë zero përgjegjësi për largimin e shqiptarëve jashtë vendit.
Ky, pra, është skenari i vetëm për rrotacion politik. E sigurt që në PD e Berishës dhe në PD e Bashës këto hapa janë të ditura dhe lehtësisht të kuptueshme. Nëse deri tani nuk kanë marrë përsipër t’i bëjnë, tregojnë se qëllimi i tyre nuk është rrotacioni dhe demokracia, por interesi personal.
Mesazhi më i fortë që na dha sondazhi i Zaloshnjës është se protesta më kuptimplotë sot në Shqipëri do të ishte ajo e demokratëve dhe opozitarëve për shporrjen e Berishës, Bashës dhe Metës. Vetëm shporrja e tyre sjell rrotacionin. Rama qëndron në kolltuk falë tyre.