Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta vijoi sulmet ndaj Monika Kryemadhit edhe në tryezën e organizuar me ‘fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave’. Gjatë fjalës së tij gratë i ndau në 2 kategori.
“Ato me taka të larta, e çanta të shtrenjta’ apo siç i quajti ‘skemaxhie’, dhe kategoria tjetër gratë ‘heroina, që nuk kërkojnë favore nga partia’ janë ‘gra si burra”. Të parat i bëri të qartë se pas 27 prillit kur do të mbahet konventa kombëtare nuk do të kenë më vend në Parti, ndërsa gratë siç tha ai ‘si Theçer’ do mbështeten fuqimisht.
“ Njoh gra që kemi bërë ministre, kemi bërë deputete e thonë ca ka bërë Ilir Meta për mua e duhej të kishte bërë më shumë.Gratë do të jenë prioriteti i parë i Ilir Metës. Jo vetëm që do të jenë në strukturat tona. Nëse unë zgjidhem president i PL-së zv/presidentja Erisa Xhixho . Shumica do të jenë gra, por gra burra si Theçer, jo skemaxhie, gra që luftojnë për gratë. Të zonja që përmirësohen cdo ditë. Kam parë gra që vrapojnë në mënyrë të jashtëzakonshme, si Valbona Basha, që jo vetëm bën punët e saj e kurrë s’kërkoi favor nga partia. Ne kemi vajza e gra që i kemi përkëdhelur dhe i kemi bërë anëtarë të këshillit bashkia e ata nuk venë në këshill ndërsa Veliaj bën kërdinë me 5 D “
Thotë se është zhgënjyer nga gratë që e nisën karrierën politike në pushtet në kohën e sufllaqeve, dhe tani do jetë ndryshe dhe beson tek gratë si Erisa Xhixho.
“Ilir Meta ka bërë gabim të madh nuk kam krijuar një sistem meritokratik, ka besuar më shumë seç duhet. Prandaj të mos zhgënjehet do kontrolloj dhe ndërtoj një sistem të hekurt. Mirëpresim cdo platformë fraksioni, por kjo sdo jetë parti fjalësh, thashethemesh klubesh, do të jetë parti misionarësh, ekzekutive, kur merret vendimi i shkohet deri në fund me shpejtësi me afate me çdo çmim, besoj shumë te përgjegjshmëria e grave e vajzave, te Erisa, se është themeluese, sic jam dhe unë që 17 vjec, është model i suksesshëm se e ka nisur në opozitë vajza, se patëm dhe ca që e nisën në pushtet në kohën e sufllaqeve. Kjo mund të ishte shumë mirë dhe president e PL, kryeministre e Shqipërisë, pse s’bëhet? Se kemi regjim mafioz, është detyra ime e Berishës e patriotëve ta shkulim mafien të kemi kryeministre si Erisa Xhixho. Mbas konventës do kemi me dhjetra Erisa Xhixho që janë përjashtuar, larguar, dhe janë intimiduar në partinë tonë se duhej të ishte një rreth i mbyllur” nenvizoi Meta.
I zhgënjyer nga drejtimi i Monika Kryemadhit, besimin politik tashmë e ka tek Erisa Xhixho, të cilën e vlerëson për angazhimin dhe gadishmërinë për të bashkëpunuar
“E vetmja herë kur nuk i përgjigjet telefonatave të mia është kur çon fëmijët në shkollë’ tha Meta.
Madje hodhi akuza se brenda partisë ishin përpjekur për të zbehur figurën e Erisa Xhixhos si deputete në parlament./m.j