Të ardhurat nga doganat në 3-mujorin e parë të vitit 2024 kanë shënuar rritje të qëndrueshme, duke tejkaluar shifrën 50 miliardë lekë, ose rreth 500 milionë euro.
Sipas të dhënave operative nga Doganat, në krahasim me 3-mujorin 2023, janë realizuar rreth +2,2 miliardë lekë, ose rreth 22 milionë euro më shumë. Doganat bënë të ditur se kjo ecuri ka ardhur nga miradministrimi dhe rritja e performancës
Performanca pozitive në të ardhurat doganore vijon në rritje të qëndrueshme, pavarësisht efekteve negative të kursit të këmbimit, sidomos të TVSH në import, për shkak të nënçmimit të euros dhe dollarit amerikan, pasi në kushtet e një kursi stabël do të kishim edhe rreth 5 miliardë lekë më shumë në buxhet, sqaruan doganat.
Të ardhurat kryesore nga akciza për tremujorin e parë shënuan +997 milionë lekë që ka ardhur përgjithësisht nga rritja e importit të karburantit me rreth +500 Mln lekë (rritje e sasisë së konsumuar me rreth 6,600 tonë), Cigare me +500 milionë lekë dhe Gazi me +98 milionë lekë.
Duke qenë se Akciza është taksë mbi sasinë është e pandikueshme drejtpërdrejt nga kursi i kembimit dhe siç shikohet edhe nga të dhënat zyrtare, të gjithë artikujt kanë përformuar në mënyrë pozitive.
Grafikët e mallrave të akcizës tregojnë se të gjithë artikujt e akcizës kanë një performancë shumë të mirë në të ardhura krahasuar me III-mujorin 2023, si sasi në konsum artikulli cigare është +42 Tonë, Karburanti +6,600 tonë, Birra +2,400 tonë dhe Kafeja +93 tonë, duke arritur kështu nivelet më të larta historike të zhdoganimit të produkteve kryesore të akcizës.
Gjatë tremujorit janar-mars rritja e të ardhurave si pasojë e rritjes së sasive të importit është në shifrën 5,8 miliardë lekë por kjo shumë është ndikuar nga efekti i rënies së çmimeve dhe efektet negative nga kursi i këmbimit prej 3,4 miliardë lekë, duke dhënë si rezultat një rritje vetëm prej +2,4 miliardë lek në total.
Edhe Banka e Shqipërisë, në raportin e fundit, ka konfirmuar se “…analiza e të dhënave të disponuara sugjeron se aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të rritet. Rritja ekonomike është ushqyer nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private, nga rritja e eksportit të shërbimeve, si dhe nga përshpejtimi i ritmit të realizimit të shpenzimeve publike”.