Nga Ervis Iljazaj
Pas më shumë se dy vitesh duket sikur Gazment Bardhi është penduar për pezullimin nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Sali Berishës. Sot, nëpërmjet një kërkese drejtuar Kryetares së Kuvendit Lindita Nikollës ka kërkuar që Berisha të rikthehej si anëtar grupi. Në këtë mënyrë, po shkon kundër vendimeve amerikane dhe britanike që e kanë shpallur Berishën non-grata, duke nënvlerësuar vendime të tilla të rëndësishme gjeopolitike të qeverive aleate me Shqipërinë.
Në fakt, kjo nuk është hera e parë që zoti Bardhi pendohet për aksionet e tij politike, gjatë viteve tw fundit. Pendimet e tij kanë qenë të shumta dhe të pakuptimta politikisht për hir të së vërtetës. Dyzime politike të cilat nuk janë parë kurrë në 34 vite të tranzicionit shqiptar. Gazment Bardhi në këtë drejtim është duke futur në kulturën politike shqiptare një shkollë tjetër, të paparë dhe të padëgjuar më parë, e cila nuk dihet se ç’përfundim do të ketë, por që nuk ekziston në asnjë manual të shkencave politike dhe të historisë politike.
Për dy vite me radhë ka mbajtur qëndrimin publik dhe ligjor që Kuvendi i thirrur nga Rithemelimi në 11 Dhjetor ishte jo legjitim. Ndërsa sot, mendon se ajo pjesë e Partisë Demokratike është partia legjitime dhe i takon vula e PD-së. Në të njëjtën kohë pretendon se është dhe Sekretar i Përgjithshëm i PD-së së Luzlim Bashës dhe Nën-Kryetar i Sali Berishës. Njëherë është ndërkombëtarisht, ku aleanca me ShBA-në dhe Britaninë janë strategjike, pastaj shndërrohet në sovranist dhe legjitimon çdo aksion politik të Berishës të cilin aleatët kryesorë të Shqipërisë e kanë shpallur non-grata.
Gazment Bardhi ka ardhur te vendimet e Flamur Nokës, Albana Vokshit, apo Klevis Balliut dy vite më vonë. Vokshi, Noka dhe Balliu treguan një inteligjencë politike dhe intuitë më të lartë se të zotit Bardhi, pasi ata kishin këto qëndrime që në krye të herës dhe si kanë ndryshuar ato. Je dakord ose je me to, të paktën janë qëndrime politike koherentë ku koha i dha të drejtë. Dhe të gjithë të tjerët, duke filluar nga Gazment Bardhi dhe deputetë që i shkojnë pas erdhën te ato qëndrime shumë me vonesë.
Sigurisht në politikë edhe mund të ndryshosh qëndrim, ama pasojat e qëndrimeve të tua kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e njerëzve. Prandaj, ajo që e mban gjallë aksionin politik është përgjegjësia që ke ndaj njerëzve. Me sa duket, në politikën shqiptare askush nuk mban përgjegjësi për ato që bën dhe ato që thotë. Mund të thuash çdo gjë, mund të veprosh ndryshe nga ato që ke menduar dhe ke mbajt qëndrim, dhe përsëri mund të kesh mendimin se do t’ja dalësh. Por në fakt ky është vetëm një iluzion. Në politikë rrallë, shumë rrallë, ke një mundësi të dytë për të bërë një impresion të parë.