Nga Ervis Iljazaj
Gjykata e Lartë ka dhënë vendimin për Sali Berishën duke lënë në fuqi masën e arrestit në shtëpi. Sali Berisha duhet të gjykohej në gjendje të lirë. Jo vetëm se është një nga politikanët më të rëndësishëm, në mos më i rëndësishmi i tranzicionit shqiptar, jo vetëm se ka qenë ish kryeministër dhe ish president, por edhe si standard drejtësie. Arresti është një masë ekstreme dhe duhet të përdoret vetëm në rastet e duhura. Arresti duhet të jetë një politikë penale sa më e rrallë të jetë e mundur, vetëm në ato raste kur nuk ka rrugezgjidhje tjetër. Por, vendimi i Gjykatës së Lartë sot është një vendim me detyrim-përcaktim.
Në fakt, masa për Berishën ishte detyrim paraqitje. Por refuzimi që i bëri Berisha kësaj mase duke sfiduar hapur organet e drejtësisë, çoi në përkeqësimin e masës. Ajo që bëri Berisha duke mos njohur vendimet e organet e drejtësisë dhe duke refuzuar vendimet e tyre, ishte padyshim një precedent i rrezikshëm. Në këtë kuptim, Gjykata e Lartë nuk mund të legjitimonte një sjellje të tillë, në raport me drejtësinë. Do të ishte një absurditet dhe do të binte i gjithë shteti ligjor dhe kultura juridike e shtet-formimit. Nëse Gjykata e Lartë do të ndryshonte masën nga arrest shtëpie, në gjykim në gjendje të lirë, do të ndërtonte një precedent ku organet e drejtësisë dhe vendimet e saj nepërkëmben dhe nuk zbatohen.
Në thelb, Gjykta e Lartë me këtë vendim ka dhënë një vendim që përcakton qartë se çfarë sjellje duhet të ketë një person, cilido qoftë, me organet e drejtësisë dhe vendimet e saj. Dhe në këtë drejtim, nuk kishte se si të vendoste ndryshe. Ky vendim nuk do të thotë aspak nëse Berisha është i pafajshëm ose i fajshëm. Më së shumti është një vendim që kërkon të vendosë dhe të mbajë reputacionin e drejtësisë në Shqipëri.
Nuk dihet nëse mos zbatimi i masës nga ana e Berishës së detyrimit të paraqitjes ishte një strategji politike, apo këshillë e avokatëve, por koha tregoi se ishte një lëvizje e gabuar. Nëse Sali Berisha do të zbatonte vendimet e drejtësisë sot do të ishte një politikan jo në arrest dhe do të vazhdonte aktivitetin e tij politik normalisht deri në përfundimin e procesit. Por ambicia për të fituar çdo gjë, me sa duket do të bëjë që të humbasë dhe aktivitetin politik dhe betejën juridike.
Që momentin e parë qasja që Berisha kishte ndaj SPAK dhe procesit ndaj tij ishte refuzuese dhe sfiduese. Me idenë e forcës politike se mund të sfidonte organet e reja të drejtësisë, Berisha me të gjitha gjasat mendoi se mund të fitonte gjithçka dhe të dilte triumfues. Por kohët kanë ndryshuar, organet e reja të drejtësisë kanë ndryshuar gjithashtu. Sot fuqia politike nuk e mposht dot drejtësinë ashtu siç jemi mësuar në këto 34 vite tranzicion. Këtë gjë e demostrojnë hetimet për korrupsion që po zhvillohen ndaj njerëzve me pushtet në Shqipëri. Duan apo s’duan, kushdo qoftë nga politika shqiptare nëse thirret nga organet e drejtësisë do të duhet të paraqitet përpara tyre. Në të kundërt, veçse e rëndojnë pozitën e tyre juridike.