Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, uroi sot besimtarët myslimanë në përfundim të muajit të shenjtë Ramazanit për festën e Fitër Bajramit.
Në një mesazh që shpërndau në Facebook, Presidenti Begaj, shpreh urimet që kjo festë t’i gjejë besimtarët myslimanë me afër Zotit, me gëzim, begati e devotshmëri për vepra të shtuara të mira.
“Bajram të bekuar për të gjithë myslimanët, ata që agjëruan dhe ata që nuk mundën, por që me lutje i janë afruar Zotit përgjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Uroj që ky Fitër Bajram t’ju gjejë me shpirt të pastër, me gëzim, begati e devotshmëri për vepra të shtuara të mira. Kjo ditë shenjon shpresën dhe besimin se durimi, përpjekja dhe solidariteti njerëzor shpërblehen. Zoti ju bekoftë dhe ju udhëzoftë në rrugën e drejtë!”, u shpreh Begaj.
/a.r