Pesë oficerë janë shkarkuar nga detyra pas vrasjes së një 28-vjeçareje më 1 prill, jashtë komisariatit Agioi Anargyroi, në veri të Athinës.
Për çështjen në fjalë është pezulluar nga detyra dhe komisari i këtij stacioni policor si dhe një nga policët e sallës operative që ishte në telefon me viktimën kur ajo u vra.
Sipas rindërtimit të mediave greke, Kyriaki Griva, 28 vjeç, shkoi në komisariat mbrëmjen e 1 prillit, pasi kishte frikë për jetën e saj sepse kërcënohej nga ish-partneri.
Gruaja ka qëndruar brenda komisariatit të Agioi Anargyroi për tetë minuta dhe pasi është larguar ka telefonuar policinë për të kërkuar një makinë për ta shoqëruar në shtëpi.
Në lidhjen telefonike të raportuar nga mediat greke, agjenti i centralit i tha gruas se “makina e policisë nuk është taksi”, dhe se nuk mund ta shoqëronte në shtëpi, por mund të dërgonte direkt një patrullë policie në shtëpinë e gruas.
Teksa po zhvillohej biseda, ish-partneri ka arritur te gruaja jashtë komisariatit dhe e ka goditur me thikë disa herë për vdekje.
Hetimi për oficerët e përfshirë
Vrasja e saj shkaktoi zemërim të thellë në mediat sociale dhe në debatin televiziv të vendit. Siç raporton Kathimerini, ndër veprimet e parashikuara për agjentët në këto raste është edhe njoftimi i qendrës së thirrjeve emergjente.
Një nga pyetjet ende pa përgjigje, megjithatë, është se pse ishte gruaja ajo që thirri centralin e urgjencës sapo doli nga komisariati dhe jo oficeri në detyrë. Kreu i Prokurorisë së Athinës, Antonis Eleftherianos, ka urdhëruar një hetim të plotë për “të metat e mundshme nga ana e punonjësve të policisë në detyrë në momentin e tragjedisë”.
/a.r