Administrimi i monumenteve kulturore tashmë do ti jepet në besim, me qira të tretëve me qëllim ri-jetësimin e tyre.
Ky është urdhri i publikuar sot nga Ministria e Kulturës,Mirela Kumbaro gjatë një konference për shtyp.
Kumbaro sqaroi se nuk bëhet fjalë për privatizim të monumenteve kulturore, por për një përkujdesje më të mirë të tyre.
“Nuk bëhet fjalë as për privatizim as për shitje madje as për koncesion, por për një bashkëpunim me publikun për të administruar më mirë monumentet kulturore. Ky udhëzues është hartuar pas një periudhe 2 vjeçare dhe pas një analizë të situatës që trashëguam, pas diagnostikimit të emergjencave në fushën e restaurimeve” , tha Kumbaro, e cila shtoi se mbarëvajtja e monumenteve kulturore është një përgjegjësi sa e shtetit aq edhe qytetarëve shqiptarë dhe ri-jetësimi tyre është një aksion i përbashkët.
Ajo bëri dhe një listë të problematikave.
“Vërehet se listën e monumenteve në total rezultojnë 1892, por nga vlerësimi mungonin rreth 132 monumente, 300 ishin të shkatërruar dhe 650 prej tyre kërkojnë ndërhyrje emergjente, prandaj dhe kjo urdhëresë vjen natyrale”, tha Kumbaro.
Udhëzimi i firmosur nga ministrja Mirela Kumbaro parashikon ngritjen e një komisioni për menaxhimin e pasurive kulturore i cili i propozon ministrit kriteret që duhet të vendosen si dhe formën e administrimit të monumentit.