Deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca thotë se prej disa muajsh, Ministria e Drejtësisë po punon për hartimin e një drafti të Kodit Penal.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Ndreca u shpreh se është e nevojshme të ndërhyhet në Kodin Penal.
“Unë mendoj që nuk është kodi penal ai që është problemi në këtë kulturë, është çështje kulture, e cila vjen edhe për shkak të një historie të gjatë padrejtësie reale që ne kemi, të paktën, ka 70 vjet, ne nuk kemi pasur kurrë një drejtësi perëndimore, bazuar në ato vlera perëndimore, por sigurisht edhe si pasojë e nevojës që ne kemi tani për të pasur dënime të funksionarëve të lartë, për të pasur rezultate në këtë aspekt, dhe kjo dëshira për të parë mbrapa hekurave zyrtarë të lartë, është çështje kulture në fakt dhe e një situate shumë të ndërlikuar në këto 30 vite. Kodi Penal ka rolin e tij, në vendosjen plitike penale, bazuar në parimet kushtetuese, edhe në ekuilibër të plotë të rëndësisë së veprave penale dhe dëmeve që secila prej dëmeve penale shkakton në një sistem si i yni.
Ka një iniciative të qeverisë shqiptare, në dijeninë time, Ministria e Drejtësisë prej disa muajsh që po punon për një draft të kodit penale, patjetër që ka nevojë për ndërhyrje në kodin penal. Është një kod i arnuar gjithë kohës, por nuk është një kod i cili është bërë me një arkitekturë të saktë, bazuar në kushtetutë dhe në parimet që kemi përqafuar”, theksoi ai.
/a.r