Deputetja Dhurata Çupi, e ftuar në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla u pyet nëse pjesë e koalicionit opozitar do të jetë Ilir Meta.
Deputetja demokrate thotë se krijimi i federatës ka për qëllim përfshirjen e çdo partie opozitare, dhe hyrja në zgjedhje në një koalicion opozitar.
Pjesë nga diskutimi:
Çupi: Në këto 3 vite kemi folur për beteja, ndarje, vija të kuqe. Çështja është që kur u propozua për krijimin i federatës ishte të përfshinim çdo parti opozitare dhe është edhe e Berishës, e Bashës, Dukës apo Mediut, dhe qëllimi ishte krijimi i një qasje politike dhe më pas të jemi bashkë edhe në zgjedhje. Dhe në zgjedhje, varet nëse do të marrim në reformën zgjedhore koalicionin parazgjedhor por edhe nëse nuk bie dakord, ne jemi të gatshëm dhe besoj të gjithë e kemi kuptuar se përballë Ramën dhe para Ramës mund të pajtohemi të gjithë me njëri tjetrin. Koalicioni i qelbësirave i vitit 2013 po del dhe shfaqet dita ditës.
Balla: E keni fjalën për Metën?
Çupi: E kam fjalën për çdo aktor që ka bashkëpunuar në 2013 dhe ka qenë pjesë e PS.
Balla: Metën e keni apo jo në koalicion?
Çupi: Patjetër që e kemi.
Balla: Pra, e keni koalicion qelbësirash.
Çupi: Zoti Meta drejton një parti dhe flet vetë në emër të tij. Zoti Meta ka vite që po bën një opozitë të fortë ndaj këtij pushteti dhe fakti që ndenji 4 vjet në këtë qeverisje dhe u largua, do të thotë se kuptoi çfarë po ndodh me qeverisjen.
Balla: E përzunë.
Çupi: Jo nuk e përzunë e bënë president.
Balla: E bënë para zgjedhjeve.
Çupi: Maxhoranca e bëri president sepse ishte në koalicion. Nuk di ta bësh president dhe ta konsiderosh të përzënë. Meta ka vite që bën opozitë. U shkëput nga qeverisja e PS, ka denoncuar qeverisjen e keqe të atyre viteve, vazhdon të denoncojë në SPAK…
Balla: Kjo nuk shkon. Nëse SPAK arreston socialist është i mirë, po arrestoi Berishën është i keq. Zoti Meta është pastruar rrugës por ishte qelbësirë në 2013. Ka një farë koherence politike./m.j