Më 24 mars u mbushen 17 vjet prej fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër caqeve serbe, në mbrojtje të Kosovës. Përfshirja e Aleancës Veriatlantike në luftën e Kosovës ka mundësuar, që pas fushatës 78-ditëshe, të dëbohen forcat serbe nga Kosova.
Pas dëbimit të tyre, në trojet e veta janë kthyer gati një milion refugjatë shqiptarë dhe është instaluar një administratë ndërkombëtare, e cila ka administruar vendin deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, transmeton Koha.net. Megjithatë, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, mbetet ende aktiv, ndërsa pavarësimi nuk e ka zgjidhur plotësisht mosmarrëveshjen me Serbinë, me të cilën Kosova tani mban bisedime.
Bombardimet kanë përfunduar me miratimin rezolutës 1244 të Këshillin e Sigurimit pranë OKB-së. Si rezultat i kësaj ishte arritur largimi i forcave serbe nga Kosova dhe hyrja e trupave të NATO-s. Në kuadër të KFOR në Kosovë në vitin 1999 kishin hyrë 37 mijë e 200 ushtarë nga 37 vende.