Dy inspektore të Tatimeve janë dhunuar fizikisht nga një parukiere në Tiranë. Incidenti i dhunshëm është shënuar në gusht të vitit 2015, në një parukeri pranë zonës së ish-Bllokut, gjatë aksionit kundër informalitetit.
Debati mes parukieres dhe dy inspektoreve femra ka pasur si shkak nisjen e procedurës së gjobës për mungesën e kasës fiskale. Fjalët i kanë lënë shpejt vendin fyerjeve nga ana e parukieres në drejtim të inspektoreve e më tej deri në përdorimin e forcës. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtore “protagonisten” e ngjarjes, parukieren Elvira H., për akuzën e “goditjes për shkak të detyrës”.
Ajo u dënua me 6 muaj burg, por nuk do të qëndrojë asnjë ditë në qeli. Gjykata vendosi pezullimin e dënimit me burg, duke e lënë në liri me kusht të pandehurën për një periudhë prej 18 muajsh.
Panorama