Nga av. Gurali Brahimllari, magjistrat, ish Gjyqtar
Në vijim të shtjellimeve të dy ditëve më parë, prezantojmë qasjen tonë mbi parimet e së drejtës për përdorimin e transkripteve të SkyECC në proceset penale, sipas Memories së Prokurorisë së Përgjithshme drejtuar Seksioneve të Bashkuara të Gjykatës së Kasacionit dhe ndikimin që mendojmë se ka patur mbi verdiktin e shpallur më 29/02/2024 si edhe nevojën emergjente për reflektim të të gjithë aktorëve që janë përfshirë në proceset penale që po zhvillohen në Shqipëri.
Në këtë MEMORIE rezulton se, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, pasi përshkruan “orientimet e ndryshme juridike” të praktikës gjyqësore italiane, në lidhje me natyrën e transkripteve të marra nga autoritetet franceze të drejtësisë, autoritetet përgjegjëse për kërkimin e marrjen e tyre si dhe kushtet e përdorimit të këtyre përgjimeve në proceset penale italiane, “parashtron një përmbledhje kritike të zgjidhjeve të mundshme për çështjet e së drejtës…”.
Duke e parë në tërësi përmbajtjen e MEMORIES, del se shtjellohen në mënyrë balancuese qasjet e ndryshme të gjykatave italiane lidhur me kushtet e kërkimit të “provave” që zotërohen nga një autoritet i huaj, dhe, posaçërisht, nevoja e verifikimit dhe e përdorimit të të dhënave të komunikimeve të përgjuara në platformën SkyECC nga autoritetet gjyqësore vendase, për të garantuar parimet e gjykimit të drejtë për të dyshuarit si dhe për t’i dhënë aksesin e nevojshëm mbrojtjes jo vetëm për njohjen me të gjithë materialin e çështjes, por edhe për të kundërshtuar përdorimin si provë të rezultateve të përgjimeve të marra nga një autoritet i huaj.
Prandaj duke krahësuar pyejtjet e shtruara nga Seksionet e veçanta, argumentet e dhëna në Memorie për zgjidhjen e tyre si dhe disponimin e Seksioneve të Bashkuara të datës 29/02/2024, konstatojmë me kënaqësi, qasjen plotësisht pajtuese, për disa prej problematikave që kemi ngritur, së bashku me profesorin Ylli Manjani, para autoritetve tona gjyqësore apo të çështjeve që kemi bërë publike në disa shkrime apo dalje publike.
Kështu sjellim në vemendjen e të interesuarve se për pyetjen e parë të shtruara në vendimin e datës 03/11/2023, që lidhet me përcaktimin e natyrës së transkripteve të marra nga autoritetet franceze, në MEMORIEN e Prokurorit të Përgjithshëm gjendet, jo vetëm një analizë shteruese e legjislacionit Italian, në lidhje edhe me Direktivën 2014/41/BE (që rregullon modalitetet e Urdhërit Europian të Hetimit), por është dhënë një qëndrim kategorik kundër qasjes se “transferimi/marrja” e tyre, prej autoriteteve gjyqësore Franceze, përbën marrjen e dokumenteve dhe të dhënat kompjuterike”. Duke analizuar përmbajtjen e dispozitës referente (234-bis të K.Pr.P), përfaqësuesit e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, kanë arritur të bindin Gjykatën e Kasacionit se kërkimi dhe marrja e transkripteve të bisedave të SkyECC, nuk përbën transferim të të dhënave kompjuterike, por kanë qenë dhe janë rezultate të përgjimeve të kryera nga autoritetet franceze, për llogari të procedimit penal të kryer prej tyre.
Ky qëndrim i Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, gjendet në pajtim me qasjen tonë se, transkriptet e bisedave të shkëmbyera mes abonentëve të SkyECC, janë rezultate të përgjimeve që sipas kushteve të përcaktuara nga neni 225 i ligjit procedurial shqiptar, mund të merren nga një procedim tjetër penal, (qoftë ky edhe i një autoriteti të huaj), por përdorimi i tyre në procesin penal mund të lejohet pasi të shqyrtohet plotësimi ose jo i kushteve që ka përcaktuar ligjvënësi shqiptar në përmbajtjen e nenit 226 të K.Pr.P., që do shtjellohet në vijim. Ndërsa për aktet e tjera proceduriale të mbledhura nga autoritetet franceze në procedimin e tyre, sikurse janë vendimet e gjykatës për përgjim apo për zgjatjen e afateve të përgjimit; vendimet për kryerjen e kontrolleve dhe sekuestrimeve apo procesverbalet që dokumentojnë rezultatet e tyre, në Memorie është argumentuar se përbëjnë prova të llojit dokument.
Duke u ndalur tek pyetja e dytë, me të cilën nga seksionet e veçanta, është vënë në diskutim e drejta e Prokurorit për të kërkuar me letërporosi marrjen e këtyre transkripteve, përsëri rezulton se Gjykata e Kasacionit, ka pranuar në vendim, zgjidhjen e propozuar nga Prokuroria e Përgjithshme sipas të cilit, nuk ka qenë dhe nuk është e nevojshme që të jepet “autorizimi paraprak nga gjyqtari kombëtar për transferimin e përmbajtjes së transkripteve të Sky ECC”. Pra është njohur e drejta e prokurorisë italiane që të kërkojë marrjen e tyre nga autoriteti huaj nëpërmjet Urdhërit Europian të Hetimit.
Sjellim në vëmendjen e lexuesit se, në gjykimet e zhvilluara në vendin tonë, mbrojtja nuk e ka vënë në diskutim legjitimimin e Prokurorisë së Posaçme për dërgimin e letërporosisë dhe marrjen e të dhënave që i takojnë proçesit penal të emërtuar në Francë “Vanilla 62700”, madje në të kundërt, kemi insistuar dhe insistojmë që, i njëjti organ procedues, duhet të dërgojë letërporosi të dytë, për të plotësuar përgjigjen e mangët të dhënë nga Gjykata e Apelit në Paris.
Edhe për përgjigjen e pyetjes së tretë, duket se argumentet e thella të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, kanë qenë përcaktuese për verdiktin e Gjykatës së Kasacionit, kur duke u përgjigjur në mënyrë pohuese, në thelb ka konkluduar se:
“Përdorshmëria e rezultateve të hetimit të marra nëpërmjet Urdhrit Evropian të Hetimit i nënshtrohet një shqyrtimi gjyqësor në shtetin lëshues pasi është e nevojshme që autoriteti juridik përkatës të verifikojë respektimin e të drejtave themelore, duke përfshirë të drejtat e mbrojtjes dhe garantimin e një gjykim të drejtë
Ndikimi i qëndrimit të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në përfundimin si më sipër të Gjykatës së Kasacionit, konstatohet natyrshëm, për shkak se gjendet një shtjellim i gjerë dhe korrekt në Memorie lidhur me detyrimin e autoriteteve gjyqësore të shtetit Italian për të kryer verifikimin e ligjshmërisë së “provave” të marra nga autoritetet franceze, dhe posaçërisht për kontrollin e përdorshmërisë së rezultateve të përgjimeve të abonentëve të SkyECC, të ardhura pas ekzekutimit të Urdhërit Europian të Hetimit, në raport me legjislacionit procedurial dhe kushtetues Italian në secalin prej proceseve penale që po zhvillohen me objekt caktimin e masave të sigurimit “Arrest në burg”. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, ka trajtuar gjerësisht, jo vetëm parimet e domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit për marrjen e provave të një procedimi penal të zhvilluar në shtetin e huaj, por edhe parimin universal të ekuivalencës në marrëdhëniet ndërkombëtare penale.
Në MEMORIE është evidentuar, qartësisht, përpara Seksioneve të Bashkuara, nga njera anë, e drejta e mbrojtjes për të kundërshtuar përdorimin e provave të marra në Francë si dhe shkeljet e mundshme të parimeve të procesit të rregullt ligjor, dhe nga ana tjetër, detyrimin e autoriteteve gjyqësore të shtetit italian për të verifikuar respektimin e të drejtave themelore të të dyshuarve gjatë formimit të provës nga autoriteti i huaj, për të mos lejuar dhunimin e këtyre të drejtave kur rezultatet e përgjimeve janë marrë në shkelje të legjislacionit të brendshëm. Në Memorie është sqaruar se kushtet e përdorimit të këtyre rezultateve në procesin penal italian, janë të lidhura me përcaktimet e dispozitës referente (neni 270 i K.Pr.P.), ndërsa ndalimi i përdorimit të tyre mund të vihet në diskutim nga përcaktimet e neneve 271 dhe 191 të K.Pr.P, në lidhje me nenin 15 të Kushtetutës Italiane.
Kanë qenë këto argumente në MEMORIE që kanë ndikuar në zgjidhjen e dhënë prej Seksioneve të Bashkuara të Gjykatës së Kasacionit, për pyetjen e tretë të seksioneve të veçanta. Madje konstatohet se Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, nuk është “fshehur” pas parimin ekzistencial të BE-së sikurse është në fushën e bashkëpunimit penal, parimi i besimit dhe njohjes reciproke të provave të marra nga një autoritet gjyqësor i vendit Europian, në çdo vend tjetër të këtij Unioni.
Sjellim në vemendje se Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm e ka orientuar debatin para Gjykatës së Kasacionit për kontrollin (verifikimin) e përdorshmërisë së provës, transkriptet e ardhura nga autoritetet franceze, në proceset penale që zhvillohen në Itali, duke evidentuar parimin e ekuivalencës, sipas përcaktimeve të nenit 6 të Direktivës 2014/41/BE, që parashikon se “autoriteti lëshues mund të lëshojë një urdhër evropian për hetime vetëm kur akti dhe aktet hetimore të kërkuara në urdhrin evropian për hetime mund të ishin lëshuar me të njëjtat kushtet si në një rast të ngjashëm të brendshëm”. Është impresionues fakti se Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, duke trajtuar problematikat si më sipër lidhur me përdorshmërinë e rezultateve të përgjimeve të kryera nga autoritetet ligjzbatuese në Francë, shtjellon më tej se përmbushja ose jo e këtij kushti duhet të verifikohet “për çdo rast” si mundësi për përjashtimin e provës nga përdorimi i saj në procesin penal në Itali, për shkak se “..në bazë të parimit të ekuivalencës, autoriteti gjyqësor i Shtetit lëshues …nuk mund të përdorë prova që nuk janë parashikuar nga legjislacioni i tij, edhe pse janë transmetuar nga Shteti ekzekutues (Franca).
Në kontekstin e proceseve penale që po zhvillohen në vendin tonë, ky qëndrim i Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm gjendet në pajtim të plotë me qasjen e Prokurorisë së Posaçme në përmbajtjen e lëtërporosisë së datës 17/03/2023, që i drejtohet autoriteteve gjyqësore franceze kur bëhet e qartë se “Ju bëjmë me dije se, të dhënat/informacionet e marra në ekzekutim të kësaj letërporosie do të përdoren nga autoritetet gjyqësore shqiptare për nevoja të procedimit penal, në përputhje me legjislacionin shqiptar”. Por pas ardhjes dhe administrimit të transkripteve të përgjimeve, ky parim nuk po zbatohet as nga organi procedues dhe as nga Gjykatat e Posaçme (Gjykata e Lartë ende nuk e ka arsyetuar vendimin e shpallur në dt 22/12/2023).
Ne nuk mund të paragjykojmë qëndrimin e mëpasëm të avokatëve mbrojtës të të dyshuarve në proceset penale që po zhvillohen në Itali dhe as qëndrimin që do të mbajnë gjykatat italiane në lidhje me aplikimin e nenit 271 të K.Pr.P. në lidhje me nenet 191 të këtij Kodi dhe dhe nenit 15 të Kushtetutës Italiane, lidhur me ndalimin e përdorimit të rezultateve të përgjimeve të kryera në platformën Sky ECC (me anën e mjetit teknik, me aftësi të veçanta për ndërhyrje në fluksin e bisedimeve të përdoruesve duke perceptuar, ruajtur dhe transmetuar komunikimet në një server të dytë të administruar nga policia gjyqësore), për shkak se sipas shtjellimeve të Prokurorit të Përgjithshëm, në legjislacionin procedurial italian ekziston një dispozitë proceduriale (neni 266 bis), me të cilin “lejohet përgjimi i fluksit të komunikimeve në lidhje me sistemet IT ose telematike,, në raste kur ka të dhëna të rënda për krim dhe ky lloj përgjimi është absolutisht i domosdoshëm për vazhdimin e hetimeve, por me kufizimin e vendosjes së përgjuesit kompjuterik në njësitë portative(laptop).
Ndërsa në rastet e procedimeve penale që po zhvillohen në vendin tonë, transkriptet e bisedave të dërguara nga autoritetet franceze, nuk kalojnë kushtet e “Ndalimit të përdorimit” të parashikuar nga neni 226 i K.Pr.Penale që përcakton se: “1. Rezultatet e përgjimeve nuk mund të përdoren kur janë bërë jashtë rasteve të lejuara nga ligji ose kur nuk janë respektuar dispozitat e këtij seksioni”.
Mbi këtë bazë si dhe duke referuar përcaktimet e nenit 151/3 të ligjit procedurial dhe nenit 32/2 të Kushtetutës, kemi patur dhe kemi bindjen se transkriptet e bisedave të ardhura me letërporosi prej autoriteteve franceze, janë të papërdorshme në proceset penale që zhvillohen në Shqipëri.
Ritheksojmë se në legjislacionin shqiptar nuk gjendet asnjë dispozitë proceduriale që të lejojë organin procedues në Shqipëri (përfshirë edhe Prokurorinë e Posaçme apo BKH) që të kërkojnë kryerjen e përgjimit në fluksin e komunkimeve të çdo lloj paltforme apo sistemi kompjuterik, madje as futjen për këtë qëllim, të një përgjuesi kompjuterik, në një paisje individuale (laptop). Në të kundërt legjislacioni ynë procedurial ndalon çdo lloj përgjimi që kryhet në kundërshtim me kufijtë e përcaktuar nga neni 221 i K.Pr.P. Madje përgjimi i fluksit të komunikimeve (që, sipas Memories lejohet në Itali në mënyrë shumë më të kufizuar se sa në legjislacionin Francez), në vendin tonë, nuk mund të kryehet as për përgjimet parandaluese që realizohen me kërkesën e organeve të inteligjencës sekrete.
Prandaj pas njohjes me argumentet që jepen në MEMORIEN e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, përforcohet më tej qëndrimi ynë se mbajtja në paraburgim e përdoruesve të Platformës SkyECC, vetëm mbi bazën e transkripteve të komunikimeve, është e paligjshme, për shkak se të dhënat e këtyre transkripteve nuk mund të përdoren. Pra, sipas qasjes sonë, rezultatet e përgjimeve të të dyshuarve si përdorues të Kodeve Pin të platformës Sky ECC, edhe pse janë të ligjshme në Francë dhe kanë ardhur pranë autoriteteve tona gjyqësore me vullnetin e autoriteteve gjyqësore të vendit të origjinës, duke qenë përftime të përgjimeve të kryera në kundërshtim me legjislacionin shqiptar, janë të paafta për të justifikuar “dyshimin e arsyeshëm” që kërkohet për privimin e shtetasve nga e drejta e lirisë dhe mbajtjen e tyre në paraburgim.
Me këtë rast risjellim në vëmendjen e opinionit publik, qëndrimin e GjEDNj në çështjet e përdoruesve të paltformës ByLock (në Turqi), e cila i konsideroi te paligjshme arrestimet e të dyshuarve edhe pse ishin akuzuar për kryerjen e veprave penale terroriste.